Vartësit e Majkos nuk dështojnë të na habisin/ Pas ‘Mos u nxéh’, tani bëjnë tender për sponsorizime në rrjetet sociale

Vartësit e Majkos nuk dështojnë të na…

Të gjitha kompanitë në mbarë botën mundohen të reklamojnë punën e tyre, kjo është diçka e ditur.

Por, kur këtë e bëjnë institucionet shtetërore, me paratë publike, kjo kthehet në diçka shqetësuese.

Diçka të tillë ka bërë edhe Fondi Shqiptar për Zhvillimin e Diasporës.

Institucioni nën varësinë e ministrit Pandeli Majko ka shpenzuar paratë publike, nëpërmjet tenderit “Shërbim promovimi digjital”, nëpërmjet rrjeteve sociale ndërkombëtare”.

Fondi prej 3 milionë lekë (të vjetra) është fituar nga një kompani e re, e themeluar në qershor të këtij viti dhe që duket se, për të hyrë në treg, ka dhënë ofertën më të ulët.

Ashtu si në tenderin e zhvilluar pak kohë më parë për lojën ‘Mos u nxeh’, e çuditshmja qëndron në objektin e procedurës së prokurimit publik.

Fondi Shqiptar për Zhvillimin e Diasporës ka vendosur të kryejë sponsorizime në rrjete sociale, me qëllim që t’u tregojë shqiptarëve në vende të ndryshme të botës se ekziston.

Institucionet publike, si rregull, nuk ka nevojë që të reklamojnë faktin që ekzistojnë. Ekzistenca e tyre provohet me politika zhvillimore, projekte e programe.

Dhe, në fakt, Ministria e Diasporës dhe strukturat e saj të varësisë kanë për të bërë shumë në drejtim të hartimit të politikave serioze për të thithúr jo vetëm investime nga shqiptarët e e mërguar prej shumë vitesh, por edhe për t’i nxitur ata që të reklamojnë aspektet pozitive të Shqipërisë.

Por, duket se shqetësimi primar për strukturat qeveritare të Diasporës është të tregojnë që ata ekzistojnë, megjithëse Majko ka rreth 4 vjet që mban detyrën e ministrit.

/Burimi: BoldNews/Gazetaatdheu.com/

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit