6 milionë lekë qokë nga Bebush Joni për deputetin e PS Vasil Llajo: Si u fsheh pas shitjes fiktive të kompanisë

6 milionë lekë qokë nga Bebush Joni…

Në republikën ku tenderët e shëndetësisë ndahen si raki kazanit dhe ku koncesionet digjet e ngrihen më shpejt se lëkurat e bananeve në rrugët e Tiranës, një tjetër skandal me aromë “fitimi të garantuar” ka plasur nga zyrat e Operatorit të Blerjeve të Përqendruara. Bëhet fjalë për një tender prej rreth 6 milionë eurosh për blerjen e implanteve ortopedike në Spitalin Universitar të Traumës – aty ku qytetari shkon me kocka të thyera nga gropat e rrugëve dhe del me faturë xhepi të qepur keq. Në qendër të kësaj mrekullie financiare shkëlqen kompania “LAYO” shpk, një emër i njohur nëpër korridoret e tenderafitjes, e cila dikur i forconte muskujt financiarë nën pronësinë e as më pak e as më shumë, por vetëm të deputetit të Partisë Socialiste, Vasil Llajo.

 

Ironia e fatit e do që deputeti Llajo, sapo veshi kostumin e rëndë të ligjvënësit në qarkun e Vlorës – me një rrogë modeste prej nja gjashtë mijë eurosh në muaj që mezi i del për kafe e karburant – të kapërcejë menjëherë mbi etikën e konfliktit të interesit. Ashtu si magjistarët e cirkut që zhdukin lepujt nga kapelet, Llajo vendosi të zhdukej nga letrat e Qendrës Kombëtare të Biznesit, duke ia shitur 100% të kuotave të “LAYO”-s shtetases Argita Bojaxhiu për një shifër prej 150 milionë lekësh të vjetra, e gjitha kjo vetëm një muaj pasi u ul në Kuvend.

Por nata e kësaj bashkëjetese mes biznesit dhe pushtetit nuk mbaron me kaq. Më 16 tetor 2025, zonjushë Bojaxhiu u zhvendos nga skena, duke ua kaluar aksionet tre personave të tjerë: Ani Hasës me 50%, Rudina Karallin me 25% dhe Genc Kuranit me 25%. Këtu fillon komedia e hollë e burokracisë shqiptare, pasi Ani Hasa nuk është ndonjë investitore misterioze e Wall Street-it që zbriti papritur në Rinas, por ish-administratorja e vetë “LAYO”-s në kohën kur ajo mbahej ngrohtësisht në gjirin e pronësisë së drejtpërdrejtë të zotit Llajo. E përzënë nga administrata në letër, ajo kthehet si pronare me gjysmën e aksioneve. Bashkëpërgjegjësi apo thjesht një lojë kukufshehti me emrat që të mos duket dora e deputetit?

Procedura e drejtuar nga Joanid Myzyri në krye të Operatorit të Blerjeve të Përqendruara e shpalli “LAYO”-n fituese për 24-mujorin e implanteve ortopedike me një ofertë prej 567.1 milionë lekësh, ose rreth 98.6% të fondit limit. Bukuria që të bën të qeshësh me lotët e mjerimit që ndan shteti me taksapaguesit është se diferencat mes ofertave të tre kompanive në garë ishin aq qesharake sa duket sikur janë matur me peshoren e floririt të argjendarisë: “OrthoNet 360” ofroi 567.3 milionë lekë, ndërsa “TRIMED” ofroi 568.3 milionë lekë. Konkurrencë e egër, apo një marrëveshje xhepash ku të gjithë fitojnë nga pak, mjaft mos të qajë njeri?

E njëjta dorë e ëmbël burokracie nën drejtimin e Joanid Myzyrit i dha po kësaj kompanie edhe një tender tjetër në Spitalin e Shkodrës prej 398 milionë lekësh të vjetra, ku kompania “Albadent Group” u skualifikua megjithëse kishte ofruar 19 milionë lekë më pak. Pse? Sepse kriteret e letrave shkruheshin me porosi për t’i bërë rrugën të hapur fituesit të duhur.

Nuk mjaftoi vetëm “LAYO”, sepse portofoli i zotit Llajo kishte edhe një margaritar tjetër të quajtur “SWISSMED”. Edhe kjo kompani u shit te Argita Bojaxhiu në korrik të 2025-ës, dy muaj pasi deputeti mori mandatin. Gjatë muajve në vijim, “SWISSMED” vazhdoi të korrë sukseset e zakonshme nëpër zyrat e shtetit, duke marrë tenderë për kite, reagentë në Kamëz dhe materiale për gazrat në gjak, me vlerë qindra miliona lekë. Madje, në një rast të fundit për analizat e gazrave, ndonëse u tentua t’i jepej “SWISSMED”-it me çmim më të lartë, ndërhyrja e Komisionit të Prokurimit Publik kërkoi rishqyrtim pas ankesës së “MEDFAU”. Por shija e shëmtuar e favoritmit institucional mbetet e pandryshuar.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit