“6 muaj pa kimioterapi”, raporti tronditës i KLSH për Onkologjikun në QSUT

“6 muaj pa kimioterapi”, raporti tronditës i…

Një raport i Kontrollit të Lartë të Shtetit ka zbuluar probleme të rënda në trajtimin e pacientëve me sëmundje tumorale në Spitalin Onkologjik të QSUT-së. Sipas auditimit, shumë pacientë kanë mbetur pa kimioterapi për periudha deri në gjashtë muaj, për shkak të mungesës së barnave dhe dështimeve të sistemit të furnizimit.

Në dokumentin prej rreth 200 faqesh theksohet se disa pacientë nuk kanë marrë asnjë dozë për muaj me radhë, ndërsa të tjerë janë trajtuar me ndërprerje të përsëritura, duke shkelur çdo protokoll mjekësor. Në disa kontrata furnizimi, periudhat pa ilaçe kanë zgjatur deri në gjysmë viti.

Verifikimet e KLSH në Farmacinë Qendrore të QSUT-së treguan se ka pasur periudha të gjata kur stoku i barnave ka qenë zero, si në magazinën qendrore të spitalit ashtu edhe në farmacinë që furnizon direkt pavionet e onkologjisë.
“U evidentuan raste kur gjendja ka qenë 0 për periudha më të gjata se një javë, duke vënë në rrezik trajtimin e pacientëve,” thuhet në raport.

Një tjetër problem i madh që evidenton KLSH është se protokollet mjekësore të përdorura në Onkologjik janë të vjetra prej më shumë se një dekade.
“Një pjesë e konsiderueshme e protokolleve të praktikës klinike në QSUT datojnë prej vitit 2014, pa përditësime sistematike gjatë kësaj periudhe,” thekson raporti.

Ekspertët paralajmërojnë se përdorimi i udhëzimeve të vjetra ul ndjeshëm cilësinë e trajtimit dhe mund të çojë në aplikimin e terapive të tejkaluara, të cilat nuk përputhen më me standardet e Bashkimit Europian dhe të Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

KLSH i kërkon Ministrisë së Shëndetësisë ngritjen e një grupi pune për përditësimin urgjent të protokolleve mjekësore dhe garantimin e furnizimit të qëndrueshëm me barna, duke theksuar se mungesat e përsëritura kanë vënë seriozisht në rrezik jetën e pacientëve.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit