69 milionë lekë të zhdukura nga Posta, pamjet e drejtoreshës që largohet me thesin plot me para

69 milionë lekë të zhdukura nga Posta,…

Janë publikuar pamjet nga ambientet e brendshme të filialit të Postës Shqiptare në Durrës, ku janë zhdukur 69 milionë lekë të reja dhe është arrestuar ish-drejtoresha e filialit, Elisabeta Mataj, si dhe është vendosur në masën “arrest në shtëpi” ish-shefja e financave, Valbona Duni, dhe ish-arkëtarja Paola Dana.

Në pamjet e siguruara shfaqet momenti kur ish-shefja e financës, Valbona Duni, hyn në ambientet e arkës së filialit, merr një shumë parash, i vendos në një thes dhe largohet nga zyra. Në sekuenca të tjera filmike, Duni shfaqet me dokumente në duar, teksa komunikon me ish-arkëtaren Paola Dana brenda ambienteve të punës.

Masa e sigurisë ndaj Valbona Dunit ka sjellë zhvillime të reja në hetim. Vetëm dy ditë pas vendimit të gjykatës, bashkëshorti i ish-drejtoreshës së Postës së Durrësit, Elisabeta Mataj, e cila ndodhet në “arrest me burg”, ka depozituar një kallëzim penal në Policinë e Durrësit ndaj ish-shefes së financave.

Në kallëzim, Feta Mataj pretendon se bashkëshortja e tij është ngarkuar padrejtësisht me përgjegjësi për skandalin financiar në filialin e Postës dhe kërkon që hetimet të shtrihen edhe ndaj Valbona Dunit. Sipas tij, duhet të verifikohet edhe mënyra e krijimit të pasurisë së ish-shefes së financave dhe burimi i të ardhurave të saj.

Sipas pretendimeve të ngritura në kallëzim, familja Duni disponon automjete të viteve të fundit me vlera të konsiderueshme, apartamente në Durrës dhe Tiranë, si dhe biznese të hapura vitet e fundit. Kallëzuesi ngre dyshime se këto pasuri mund të jenë përdorur për justifikimin e të ardhurave të pajustifikuara dhe kërkon verifikim edhe për një vepër të mundshme të pastrimit të parave.

Ai pretendon gjithashtu se rritja e pasurisë së familjes Duni pas vitit 2020 përkon me periudhën kur Posta ka administruar fonde të rindërtimit pas tërmetit, duke kërkuar që kjo periudhë të jetë pjesë e hetimit financiar.

Prokuroria i akuzon Elisabeta Matajn, Valbona Dunin dhe Paola Danën, pas kallëzimit të bërë nga Posta Shqiptare, për veprën penale të vjedhjes duke shpërdoruar detyrën, në bashkëpunim.

Çështja lidhet me dyshimet për përvetësimin e rreth 69 milionë lekëve të rinj në filialin e Postës Shqiptare në Durrës, fonde që ishin të destinuara për pensionistët dhe familjet në nevojë.

Gjatë seancës për caktimin e masave të sigurisë, prokuroria ka deklaruar gjithashtu se ish-drejtoresha Elisabeta Mataj rezulton të ketë frekuentuar kazino. Mataj nuk e ka mohuar këtë fakt, por ka deklaruar se si qytetare e lirë kishte të drejtë të shkonte në ambiente të tilla.

Kur është pyetur nga gjykata për destinacionin e parave të dyshuara të përvetësuara, Mataj është shprehur se “nuk e di”. Ajo ka mohuar gjithashtu akuzat se është përpjekur t’i shmanget drejtësisë, duke deklaruar se udhëtimi jashtë vendit ishte planifikuar më herët dhe se më 13 dhe 14 korrik kishte qenë në vendin e punës.

Hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të skemës së dyshuar, mënyrës së administrimit të fondeve dhe përgjegjësive individuale të personave të përfshirë.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit