Vetëm 23 bashki kanë buxhet kundër zjarrit

Vetëm 23 bashki kanë buxhet kundër zjarrit

Teksa zjarret gjatë kësaj vere kanë përfshirë zona të ndryshme të vendit, duke shkrumbuar dhjetëra hektarë pyje e kullota dhe duke shkaktuar dëme të konsiderueshme, të dhënat zyrtare të Ministrisë së Financave tregojnë një nivel shumë të ulët të përdorimit të fondeve për mbrojtjen nga zjarri dhe emergjencat civile. Vetëm 23 bashki kishin parashikuar në buxhetet e tyre për vitin 2026 fonde për këtë sektor, në një vlerë totale prej rreth 729.6 milionë lekësh. Por deri në fund të qershorit, shpenzimet faktike arrinin vetëm në 75.7 milionë lekë, ose 10.4% e fondit të programuar. Nga 23 bashkitë, vetëm 11 kishin kryer shpenzime, ndërsa 12 të tjera nuk kishin realizuar ende asnjë pagesë.

Diferenca më e madhe mes fondeve të planifikuara dhe atyre të shpenzuara vihet re në Bashkinë e Tiranës, e cila kishte programuar rreth 356.8 milionë lekë, pothuajse gjysmën e fondit total të 23 bashkive. Megjithatë, deri në qershor Tirana kishte shpenzuar vetëm 164.9 mijë lekë, duke realizuar rreth 0.05% të buxhetit. Në të njëjtën situatë është edhe Bashkia e Durrësit, e cila kishte parashikuar rreth 104 milionë lekë, por nuk kishte regjistruar asnjë shpenzim. Tirana dhe Durrësi së bashku përbëjnë mbi 63% të fondeve të programuara nga 23 bashkitë, ndërsa deri në qershor kishin shpenzuar vetëm rreth 165 mijë lekë. Pa shpenzime rezultonin gjithashtu Kavaja, Kruja, Vlora, Bulqiza, Malësia e Madhe, Gramshi, Puka, Përrenjasi, Këlcyra dhe Dropulli.

Në kahun tjetër, Himara kryeson për shpenzimet faktike, me 46.8 milionë lekë të përdorura nga 143.8 milionë lekë të programuara, ose 32.5% realizim; pothuajse e gjithë kjo shumë lidhet me blerjen e një automjeti zjarrfikës, i paguar në masën 100%. Pas saj renditet Pusteci, me 10.8 milionë lekë të shpenzuara nga 18.9 milionë lekë, kryesisht për blerjen e një mjeti për shërbimin e MZSH-së. Kukësi ka një nga nivelet më të larta të realizimit, me 8.44 milionë lekë të shpenzuara nga 8.46 milionë lekë të programuara, ose 99.7%, ku rreth 7 milionë lekë janë përdorur për një automjet zjarrfikës. Edhe Librazhdi ka realizuar praktikisht të gjithë fondin prej 4.55 milionë lekësh, kryesisht për ndërhyrje të mbrojtjes civile. Vetëm Himara, Pusteci dhe Kukësi përbëjnë rreth 87% të shpenzimeve faktike të 23 bashkive deri në qershor. Të dhënat i referohen gjysmës së parë të vitit 2026 dhe nuk përfaqësojnë rezultatin përfundimtar të shpenzimeve vjetore.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit