
Në redaksinë tonë ka mbërritur një ankesë nga një punonjës i Policisë së Kufirit, i cili shpreh shqetësimin për vonesat e pajustifikuara të pagesave të FRONTEX.
Punonjësit e policisë ende nuk kanë marrë shpërblimet e plota për vitin 2024, ndërsa për vitin 2025 situata mbetet e paqartë. Zyrtarët financiarë në Tiranë, që menaxhojnë fondet për këto pagesa, justifikohen vazhdimisht me mungesën e fondeve, duke lënë në pritje familjarë që mbështeten në këto të ardhura. Për më tepër, është përfolur se vetëm 80% e pagesës do të disbursohet, ndërsa pjesa tjetër prej 20% mbetet pezull, pa afat të qartë dhe pa garanci për shlyerje.
Punonjësit kërkojnë që strukturat përgjegjëse të ndërhyjnë urgjentisht për të zgjidhur këtë situatë. Ata kërkojnë transparencë, llogaridhënie dhe përfaqësim real të interesave të tyre. Kjo çështje nuk është vetëm ekonomike, por edhe morale: ata nuk kërkojnë mëshirë, por thjesht atë që u takon me të drejtë.
Mesazhi i qytetarit:
“Ju lutem bëni diçka në lidhje me ne, punonjësit e Policisë së Kufirit. Jam punonjës policie dhe dua një zgjidhje nga ana juaj për pagesat e FRONTEX, pasi po na gënjejnë. Vazhdon mashtrimi nga ana e financës në Tiranë, e cila menaxhon pagat e FRONTEX, duke thënë se nuk ka fonde.
Duhet të merren masa, pasi ende nuk janë bërë pagesat totale. Kemi pagesa të prapambetura nga viti 2024 që nuk na janë dhënë, si dhe nga viti 2025. Kërkojmë që të njoftohet Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit për këto padrejtësi që po na bëhen.
Jemi familjarë, kemi përgjegjësi dhe nuk dimë më ku të ankohemi e ku të kërkojmë llogari, sepse askush nuk po na mbështet. Është diskutuar që vetëm 80% e pagesës do të merret, ndërsa 20% do të hidhet “me kismet”. A është kjo normale?
Duhet të njoftohet dikush kompetent që merret me këto çështjet e Policisë së Shtetit, sepse nuk ua kemi për borxh këto vonesa dhe mashtrime.”