800 mln lekë pa garë për rrugët gjatë 2018-ës, Veliaj shmangu konkurrentët në gjysmën e tenderave

800 mln lekë pa garë për rrugët…

Bashkia e Tiranës, e drejtuar nga Erion Veliaj, ka prokuruar vetëm gjatë vitit 2018, 12 tendera për rikonstruksionin, rehabilitimin ose ndërtimin e rrugëve me një vlerë prej 1.4 miliardë lekësh.

Sipas të dhënave të Agjencisë së Prokurimeve Publike, rezulton se gjysma e tyre, me vlerë 778 milionë lekë, janë zhvilluar pa garë.

Sipas të dhënave zyrtare, nga procesi janë skualifikuar të gjithë operatorët ekonomikë pjesëmarrës në garë, përveç fituesit.

Një nga kontratat më të mëdha e zhvilluar me këtë procedurë është ajo për “Rehabilitimin e Unazës së Mesme” me një fond limit prej më shumë se 249 milionë lekësh.

Pjesëmarrëse në këtë garë kanë qenë katër kompani, ku 3 prej tyre janë skualifikuar dhe është shpallur fituese kompania Alba Construction.

Vendin e dytë e mban “Rehabilitimi i aksit Mbikalim-Kombinat” me një fond thuajse të përafërt me kontratën e cituar më lart.

Për këtë garë kanë marrë pjesë 15 operatorë ekonomik dhe 14 prej tyre janë skualifikuar, duke shpallur fituese GPG Company me një fond limit prej 248 milionë lekësh.

Përveç tenderave pa garë, në një prokurim ku kanë marrë pjesë 13 kompani, bashkia e Tiranës ka skualifikuar 11 prej tyre, të cilat kishin ofertë më të ulët se kompania e shpallur fituese.

Në fakt rezulton se në tenderin e muajit shkurt 2018, në garë mbeti dhe një tjetër operator, por që kishte ofertë më të lartë se fituesi GPG Company.

Megjithatë, ka dhe nga ato raste kur nuk jepen të dhëna për kompanitë që kanë marrë pjesë në garë apo mënyra se si është përzgjedhur fituesi.

/Gazetaatdheu.com/

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit