81 vite nga masakra greke e shqiptarëve të Çamërisë

81 vite nga masakra greke e shqiptarëve…

Këtë qershor shënohet 81-vjetori i gjenocidit grek ndaj shqiptarëve të Çamërisë një nga ngjarjet më të dhimbshme të historisë shqiptare, që ende mbetet një plagë e hapur në kujtesën kombëtare. Më 27 qershor, shpallur me ligj si “Dita e gjenocidit ndaj shqiptarëve të Çamërisë nga shovinistët grekë”, kujtohet me dhimbje spastrimi etnik dhe krimet e kryera ndaj një komuniteti të tërë.

Pas vendimeve të Konferencës së Ambasadorëve në vitin 1913, një pjesë e madhe e Çamërisë iu dha Greqisë, duke nisur kështu një periudhë të gjatë përndjekjesh dhe diskriminimi ndaj shqiptarëve çamë. Përndjekjet u intensifikuan pas shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë dhe kulmuan gjatë Luftës së Dytë Botërore, kur nga qershori i vitit 1944 deri në mars të vitit 1945, mijëra shqiptarë të Çamërisë u masakruan nga forcat greke të udhëhequra nga gjenerali Napoleon Zerva.

Sipas dëshmive historike dhe dokumenteve arkivore, rreth 5 mijë shqiptarë të Çamërisë burra, gra, të moshuar dhe fëmijë humbën jetën gjatë ngjarjeve tragjike. Ndërkohë, më shumë se 35 mijë shqiptarë muslimanë u detyruan të largohen nga shtëpitë e tyre dhe gjetën strehë në Shqipëri, kryesisht në jug të vendit.

Por drama e këtij komuniteti nuk përfundoi me fundin e luftës. Edhe gjatë regjimit komunist në Shqipëri, shumë pjesëtarë të komunitetit çam u përndoqën, u stigmatizuan dhe u dënuan për motive të ndryshme, përfshirë ato politike. Megjithatë, pas rënies së diktaturës në vitin 1991, shqiptarët e Çamërisë u riorganizuan në shoqata, parti politike dhe struktura të tjera për të kërkuar njohjen e gjenocidit dhe kthimin e të drejtave të mohuara.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit