Pas aksidentit tragjik që tronditi Durrësin dhe mbarë opinionin publik, ku humbën jetën dy fëmijë dhe një tjetër mbeti i plagosur rëndë, kanë reaguar për herë të parë fëmijët e 57-vjeçarit Nikoll Radaçi.
Në një mesazh të dërguar në redaksinë e JOQ Albania, vajza dhe djali i tij shprehin dhimbjen e thellë dhe kërkojnë falje publike ndaj familjeve të viktimave për tragjedinë e ndodhur. Ata theksojnë se janë të vetëdijshëm se asnjë fjalë nuk mund të lehtësojë dhimbjen për humbjen e fëmijëve.
Në reagimin e tyre, familjarët shprehen se nuk kërkojnë justifikime dhe nuk shmangin përgjegjësinë morale për situatën, duke u përulur me respekt përpara familjeve të prekura dhe duke shprehur keqardhjen më të sinqertë. Ata theksojnë gjithashtu gatishmërinë për të qenë pranë familjeve të viktimave në çdo mënyrë të mundshme.
Aksidenti tragjik ndodhi në lagjen nr. 15 në Durrës, ku 57-vjeçari, duke drejtuar një automjet tip “Benz ML” në gjendje të dehur, humbi kontrollin dhe doli në trotuar, duke përplasur tre fëmijë që po luanin pranë banesave. Si pasojë, dy prej tyre humbën jetën, ndërsa një tjetër vijon të jetë në gjendje të rëndë në Spitalin e Traumës.
Ngjarja ka shkaktuar reagime të forta në publik dhe ka rikthyer në vëmendje çështjen e sigurisë rrugore dhe përgjegjësisë individuale. Në këtë kontekst, theksohet se përgjegjësia për një akt të tillë është personale dhe familjarët e autorit nuk duhet të bëhen objekt gjykimi apo sulmesh.