Detaje të reja kanë dalë në dritë lidhur me një incident të ndodhur një ditë më parë në një magazinë pranë autostradës Tiranë-Durrës, ku gjashtë punonjëse u dërguan me urgjencë në spital për shkak të problemeve respiratorë (me frymëmarrjen).
Sipas raportimeve ngjarja ka ndodhur në një magazinë të kompanisë “Rossmann & Lala”, ku punonjëset raportuan se ndjenë një aromë të rëndë brenda ambientit të punës. Pas shqetësimeve të para, ato kërkuan ndihmë mjekësore dhe u transportuan në spital, ku morën trajtim dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Sipas dëshmive të punonjëseve, aroma e rëndë ishte ndjerë edhe disa ditë më parë, por pa shkaktuar probleme shëndetësore. Aktualisht, Policia dhe hetuesit po punojnë për të zbuluar shkakun e kësaj gjendjeje, ndërsa po verifikojnë nëse magazina i plotëson standardet e sigurisë dhe nëse punonjëset kanë qenë të ekspozuara ndaj substancave të rrezikshme.
Policia njoftoi dje: “Më datë 11.03.2025, janë paraqitur në spital, 6 punonjëse në një magazinë në autostradën “Tiranë-Durrës”, të cilët kanë shprehur probleme respiratore. Pasi kanë marrë asistencë mjekësore, 6 shtetaset janë larguar në banesa. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë, e cila po punon për vlerësimin e rastit.”