Atentati në Lushnje ndaj rivalit të Aldo Bares, plagoset Juli i Pashakos

Atentati në Lushnje ndaj rivalit të Aldo…

Të shtëna me armë zjarri janë regjistruar paraditen e sotme në qytetin e Lushnjes, ku është qëlluar drejt një automjeti në rrugën “Misto Mame”. Menjëherë pas ngjarjes, zona është rrethuar nga forca të shumta policie dhe në vendngjarje janë gjetur gëzhoja arme.

Pak minuta pas të shtënave, në fshatin Lifaj u gjet një automjet i djegur, i cili dyshohet të jetë përdorur nga autorët e atentatit. Rrethanat e ngjarjes vijojnë të mbeten të paqarta, ndërsa policia po kryen veprimet hetimore për identifikimin dhe kapjen e të dyshuarve.

Deri tani është konfirmuar se objekt i atentatit ka qenë 45-vjeçari Julian Sula, i njohur ndryshe si “Juli Pashakos”. Automjeti me të cilin udhëtonte Sula është qëlluar me breshëri, ndërsa ka dyshime se ai ka reaguar duke hapur zjarr në drejtim të autorëve, duke çuar në një shkëmbim zjarri mes palëve.

Nga të dhënat paraprake Julian Sula ka mbetur i plagosur me një plumb në këmbë dhe është transportuar për ndihmë mjekësore. Automjeti i djegur në Lifaj, tip Nissan, dyshohet se është përdorur nga autorët për t’u larguar nga vendi i ngjarjes. Sula ka qenë më herët i lidhur me disa hetime të njohura, përfshirë ngjarjen e njohur si “masakra e Lushnjes” , ku viktima mbetën dy miq të nipit të Aldo Bares, Jurgen Hoxhës dhe Zamir Latifit.

Policia ka ngritur postoblloqe në pikat kryesore të qytetit dhe po vijon punën për zbardhjen e plotë të atentatit, identifikimin e personave të përfshirë dhe motivet e mundshme të ngjarjes.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit