SPAK ka hapur një hetim të ri ndaj ish-zv.kryeministrit Arben Ahmetaj, këtë herë për pastrim parash, në vijim të kërkesës së Ministrisë së Drejtësisë për ekstradimin e tij nga Zvicra. Hetimi i ri lidhet me një shumë të konsiderueshme parash që dyshohet se është transferuar nga Shqipëria drejt një shteti të Bashkimit Europian.
Gjatë seancës për dosjen “Buka”, prokurori i çështjes, Elvin Gokaj, deklaroi në gjykatë se janë identifikuar transferta që po verifikohen:
“Jemi ndeshur me një shumë të madhe parash që janë transferuar nga Shqipëria në një vend të BE-së. Ky rast është në verifikim”, tha Gokaj.
Burime pranë hetimit bëjnë me dije se shuma e dyshuar është rreth 3 milionë euro, të cilat dyshohet se janë dërguar drejt Austrisë.
Avokati i Ahmetajt reagoi duke akuzuar prokurorinë se po vepron me “akte surprizë”:
“Prokurori po thotë se nëse del diçka, do ngremë akuzë. Nëse kishte hetime të tjera, nuk kishte arsye për ngutje në mbylljen e hetimeve. Procesi nuk mund të jetë i rregullt në këto kushte. Nëse ka prova, prokurori duhet t’i paraqesë”, tha mbrojtja.
Nga ana tjetër, prokurori sqaroi se SPAK ishte i detyruar të njoftonte akuzën për shkak të afateve të parashkrimit dhe se çështja është ndarë si rezultat i akteve të reja të ardhura nga autoritetet austriake.
Arben Ahmetaj ndodhet në arrati që nga korriku i vitit 2023, ndërsa ndaj tij është në fuqi një urdhër-arresti i lëshuar nga SPAK.