Qeveria ka depozituar këtë premte në Gjykatën Kushtetuese një kërkesë zyrtare që lidhet me pezullimin nga detyra të zëvendëskryeministres Belinda Balluku. Kjo kërkesë vjen pas vendimit të GJKKO-së për vendosjen e masës ndaluese ndaj saj, vendim që qeveria e konsideron në konflikt kompetencash.
Nga kërkesa e zbardhur nga Gjykata Kushtetuese, Kryeministria argumenton se është krijuar një konflikt kompetencash midis Kryeministrit dhe Këshillit të Ministrave, nga njëra anë, dhe Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, nga ana tjetër, lidhur me të drejtën për pezullimin e një anëtari të kabinetit qeveritar.
Eshte raportuar nga burimet e informacionit se në kërkesën e paraqitur, qeveria i kërkon Kushtetueses:
Shfuqizimin e vendimit nr.118, datë 19.11.2025, të GJKKO-së, për pjesën që vendos masën ndaluese ndaj Belinda Ballukut;
Pezullimin e menjëhershëm të këtij vendimi, deri në përfundimin e shqyrtimit nga Gjykata Kushtetuese;
Interpretimin e nenit 103, pika 3, të Kushtetutës, që lidhet me procedurat dhe autoritetin për pezullimin e anëtarëve të qeverisë.
Ndërkohë, në opinionin publik, shumë qytetarë ngrejnë dyshime se kërkesa e qeverisë në Kushtetuese duket më shumë si një përpjekje për të mbrojtur vetveten sesa për të sqaruar një “konflikt kompetencash”. Sipas këtyre reagimeve, mazhoranca është vënë në lëvizje me një shpejtësi të pazakontë sa herë që çështjet prekin anëtarët e kabinetit, ndërsa institucionet e tjera shtetërore shpesh nuk kanë të njëjtën vëmendje kur fjala është për qytetarët e thjeshtë.