Një shtetas shqiptar është shpallur në kërkim nga autoritetet franceze pasi akuzohet për vrasjen e ish-partneres gjeorgjiane në qytetin Mulhouse (Haut-Rhin).
Shqiptari, identiteti i të cilit nuk është bërë ende publik, nuk ka precedentë penalë të mëparshëm dhe është i panjohur për policinë franceze, njoftoi Prokuroria e Mulhouse më 28.10.2025.
Viktima është identifikuar si një grua 33-vjeçare e lindur në Gjeorgji, e cila punonte si banakiere në një kafene. Ajo u godit me thikë për vdekje në datë 25.10.2025, në momentin që sapo kishte filluar turnin e punës . Nga hetimet paraprake, është siguruar informacionin se ajo kishte bashkëjetuar për tre vjet me autorin e dyshuar, nga i cili ishte ndarë prej pak kohësh.
Organi i Akuzës ka hedhur dyshimet se motivi i ngjarjes lidhet me xhelozinë dhe mospranimin e ndarjes nga ana e të pandehurit, faktor ky i përmendur shpesh në rastet e femicidit. Shefi i saj, Farouk Tas, i cili mbërriti i pari në vendngjarje, tha për France 3 Grand Est:
“Ajo ishte si vajza ime. Ishte një grua e jashtëzakonshme. Jemi në shok, pamë gjithçka me sytë tanë. Jemi të shkatërruar.”
Aktualisht pritet të kryhet një autopsi në trupin e viktimës në Institutin e Mjekësisë Ligjore të Strasburgut, ndërsa po rishikohen kamerat e sigurisë për të zbardhur detajet e mundshme të gjithë ngjarjes.