Terror në mes të Fierit, agresori bllokon familjen me fëmijë dhe godet makinën, policia "bën sehir"

Terror në mes të Fierit, agresori bllokon…

Sipas denoncimit, familja po udhëtonte drejt një gëzimi familjar, kur një automjet u preu rrugën në bulevard. Pas një sinjali me bori, që sipas tyre ishte vetëm për t’i kujtuar shoferit se kishin përparësi, situata degradoi menjëherë.

Shoferi i automjetit tjetër dyshohet se u afrua paralelisht, hapi xhamin dhe nisi të ofendonte familjen. Më pas, ai i ndoqi për disa minuta, i parakaloi dhe u bllokoi rrugën. Sipas pamjeve, agresori zbret nga makina dhe godet automjetin me grushte, ndërsa brenda ndodheshin dy fëmijë të mitur dhe dy gra.

Familja pretendon se njëra prej vajzave, e cila vuan nga ADHD, u traumatizua nga ngjarja dhe shpërtheu në lot, ndërsa drejtuesi i mjetit zgjodhi të ruante qetësinë për të shmangur përshkallëzimin e konfliktit.

Edhe më shqetësues është pretendimi se një patrullë policie ndodhej pas tyre gjatë gjithë incidentit, por nuk ndërhyri për të ndaluar agresorin. Sipas denoncuesit, efektivët u nisën për pak çaste pas automjetit, pa përdorur sirenat, dhe më pas u larguan pa marrë asnjë masë.

Familja thotë se telefonoi edhe numrin 112, por pretendon se mori vetëm përgjigjen për t’u paraqitur për kallëzim, pavarësisht se policia kishte qenë e pranishme në vendngjarje.

Denoncuesi kërkon që rasti të bëhet publik jo për të nxitur urrejtje apo hakmarrje, por që autori i dyshuar të identifikohet dhe të përballet me ligjin. Ai u bën thirrje komentuesve të shmangin gjuhën e urrejtjes dhe nxitjen e dhunës, duke theksuar se kërkon vetëm drejtësi për atë që familja e tij përjetoi.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit