Çmimet e qumështit dhe produkteve të bulmetit në Shqipëri kanë pësuar një rritje të fortë vitet e fundit, duke e renditur vendin ndër më të shtrenjtët në Europë për këtë kategori ushqimore.
Sipas të dhënave të publikuara nga Eurostat për vitin 2025, niveli i çmimeve për qumështin, bulmetin dhe vezët në Shqipëri arriti në 135.6% të mesatares së Bashkimit Europian (BE=100). Më të larta janë vetëm në Zvicër me 144%, ndërsa Shqipëria renditet menjëherë pas saj, në nivele pothuajse të njëjta me Norvegjinë.
Rritja ka qenë e ndjeshme krahasuar me vitin 2022, kur indeksi i çmimeve ishte 112.3% e mesatares së BE-së. Sot, produktet e bulmetit dhe vezët në Shqipëri kushtojnë rreth 36% më shumë se mesatarja europiane.
Diferenca bëhet edhe më e dukshme në krahasim me vendet e rajonit. Serbia ka një indeks prej 107.1%, Kroacia 111.2%, Mali i Zi 95%, Bosnjë-Hercegovina 92% dhe Maqedonia e Veriut 89.6%, duke mbetur të gjitha nën nivelin e Shqipërisë.
Sipas ekspertëve, rritja e çmimeve lidhet me tkurrjen e sektorit të blegtorisë, kostot më të larta të prodhimit, varësinë nga importet dhe uljen e prodhimit vendas. Ndërkohë, rritja e kërkesës, e ndikuar edhe nga fluksi i turistëve, ka ushtruar presion shtesë mbi tregun.
Eurostat evidenton se nuk është shtrenjtuar vetëm bulmeti. Për herë të parë, niveli i përgjithshëm i çmimeve të ushqimeve në Shqipëri ka kaluar mesataren e Bashkimit Europian, duke arritur në 102.9% gjatë vitit 2025.