Shqipëria është renditur ndër vendet me çmimet më të larta të bulmetit në Europë. Sipas të dhënave të Eurostat për vitin 2025, çmimet e qumështit, nënprodukteve të tij dhe vezëve në vend arritën në 135.6% të mesatares së Bashkimit Europian, ose 35.6% më të larta se mesatarja e BE-së.
Më e shtrenjtë se Shqipëria rezulton vetëm Zvicra (144%), ndërsa Norvegjia renditet pothuajse në të njëjtin nivel me 135.7%.
Rritja ka qenë e ndjeshme në katër vitet e fundit, pasi indeksi u ngjit nga 112.3 në vitin 2022 në 135.6 në vitin 2025. Ndërkohë, vendet e rajonit si Serbia, Kroacia, Mali i Zi, Bosnjë-Hercegovina dhe Maqedonia e Veriut vijojnë të kenë çmime dukshëm më të ulëta.
Sipas analizës, shtrenjtimi lidhet me tkurrjen e blegtorisë, rritjen e kostove të prodhimit, varësinë nga importet dhe kërkesën më të lartë të nxitur edhe nga turizmi. Ndërkohë, Eurostat raporton se për herë të parë edhe çmimet e përgjithshme të ushqimeve në Shqipëri kanë kaluar mesataren e BE-së, duke arritur në 102.9% gjatë vitit 2025.