Dhërmi, zhurmat e ndërtimeve u prishin pushimet pushuesve

Dhërmi, zhurmat e ndërtimeve u prishin pushimet…

Pushimet e shumë turistëve në Dhërmi po shoqërohen me zhurma të forta nga kantieret e ndërtimit, të cilat, sipas denoncimeve të mbërritura në redaksinë e JOQ Albania, nisin që në orët e para të mëngjesit, duke prishur qetësinë e pushuesve dhe duke krijuar shqetësim edhe për bizneset turistike.

Një qytetar ka dërguar pamje nga zona e njohur si “Sarajet e Pashajt”, ku dëgjohen zhurmat e mjeteve të ndërtimit që prej orës 07:00. Sipas tij, pushuesit që zgjedhin Dhërmiun dhe paguajnë deri në 200 euro për një natë akomodim përballen me një realitet krejt ndryshe nga ai që presin.

“Njerëzit vijnë për të pushuar. Paguajnë 200 euro dhe shih çfarë gjejnë. Kjo është situata në orën 7 të mëngjesit në Dhërmi”, shprehet qytetari në mesazhin e dërguar.

Në videon e siguruar nga redaksia dëgjohet edhe një menaxhere hoteli, e cila, e revoltuar nga situata, u kërkon punëtorëve të ndërpresin zhurmat, duke theksuar se ato po pengojnë aktivitetin normal të hotelit dhe po largojnë klientët.

Sipas saj, është e pamundur të ofrohet shërbim cilësor në kushtet kur pushuesit zgjohen çdo mëngjes nga zhurmat e makinerive të rënda.

Banorët dhe operatorët turistikë kërkojnë ndërhyrjen e institucioneve përgjegjëse për të verifikuar nëse punimet po zhvillohen në përputhje me oraret e lejuara dhe me rregullat që garantojnë qetësinë publike gjatë sezonit turistik.

Në kulmin e sezonit veror, kur Dhërmiu pret mijëra vizitorë vendas dhe të huaj, situata të tilla jo vetëm që cenojnë qetësinë e pushuesve, por rrezikojnë edhe imazhin e një prej destinacioneve më të frekuentuara turistike në vend.

<iframe width=”458″ height=”815″ src=”https://www.youtube.com/embed/jHNXs08a3aY” title=”” frameborder=”0″ allow=”accelerometer; autoplay; clipboard-write; encrypted-media; gyroscope; picture-in-picture; web-share” referrerpolicy=”strict-origin-when-cross-origin” allowfullscreen></iframe>

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit