Pas rënies së tensioneve në Lindjen e Mesme dhe rikthimit të qarkullimit normal të transportit detar në ngushticën e Hormuzit, çmimet e naftës në tregjet ndërkombëtare kanë shënuar rënie.
Edhe në Shqipëri, çmimi i naftës, i cili gjatë kulmit të tensioneve arriti në 210–220 lekë për litër në disa pika karburanti, është rikthyer në rreth 175 lekë për litër, afërsisht në nivelin ku ishte përpara tensioneve të lidhura me zhvillimet gjeopolitike.
Megjithatë, shumë qytetarë vlerësojnë se edhe ky çmim mbetet i lartë krahasuar me vendet e rajonit dhe me shumë vende të Bashkimit Evropian.
Në redaksinë tonë ka mbërritur edhe denoncimi i një shqiptari që jeton në Barcelonë. Ai thotë se aktualisht çmimi i naftës atje është rreth 1.22 euro për litër dhe e krahason këtë me çmimin në Shqipëri, duke ngritur pikëpyetje për diferencën.
Në mesazhin e tij, ai i bën thirrje kryeministrit Edi Rama dhe institucioneve përgjegjëse të ndërhyjnë për të verifikuar mënyrën e përcaktimit të çmimit të karburanteve në vend, duke kërkuar më shumë transparencë dhe masa ndaj çdo rritjeje të pajustifikuar të çmimeve.