Familjarët e dy të miturve të plagosur në aksidentin tragjik kërkojnë të gjejnë qytetarin që u dha ndihmën e parë

Familjarët e dy të miturve të plagosur…

Pas aksidentit tragjik të ndodhur pasditen e kësaj të marte në autostradën Tiranë-Durrës, një apel prekës ka mbërritur në redaksinë e JOQ Albania.

Familjarët e dy djemve, 14 dhe 15 vjeç, të cilët ndodheshin në autobusin e aksidentuar dhe mbetën të plagosur, kërkojnë të gjejnë qytetarin që u dha ndihmën e parë menjëherë pas ngjarjes.

Sipas mesazhit të dërguar në redaksinë tonë, burri i paidentifikuar i mori me automjetin e tij dhe i shoqëroi drejt Spitalit të Traumës, duke u ardhur në ndihmë në momentet më kritike.

“Përshëndetje JOQ. Në aksidentin e ditës së sotme të fugonit kam patur dy nipat e mi, 14 dhe 15 vjeç. Ndihmën e parë ua ka dhënë një zotëri që i ka shoqëruar me makinë tek Spitali i Traumës. Duam ta falënderojmë për ndihmën e dhënë. Ju lutem, mund ta publikoni që t’i dërgojmë një numër kontakti. Faleminderit”, shkruan një nga familjarët.

Nëse qytetari që ndihmoi dy të miturit e njeh veten, ose nëse dikush ka informacion që mund të ndihmojë në identifikimin e tij, e ftojmë të kontaktojë redaksinë e JOQ Albania, në mënyrë që familjarët të kenë mundësinë ta falënderojnë personalisht për gjestin e tij human.

Kujtojmë se aksidenti i rëndë ndodhi rreth orës 15:00 në segmentin Qafë Kashar–Casa Italia të autostradës Tiranë-Durrës. Sipas Policisë së Shtetit, si pasojë e përplasjes humbi jetën drejtuesi i autobusit, 36-vjeçari Redion Hasimi, ndërsa 12 pasagjerë mbetën të plagosur.

Shtatë prej tyre ndodhen në gjendje të rëndë, ndërsa pesë të tjerë kanë pësuar lëndime më të lehta. Mes të plagosurve është edhe një fëmijë, i cili mbërriti fillimisht në spital pa shenja jete, por u rikthye në jetë falë ndërhyrjes së ekipit mjekësor dhe aktualisht ndodhet nën kujdes intensiv.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit