Detaje të reja janë zbardhur nga atentati i 29 qershorit në Pogradec ndaj Brian Syzos, ku dyshohet se janë përfshirë vëllezërit Nikolla dhe Edison Agolli, së bashku me persona të tjerë. Sipas hetimeve, autorët kanë vepruar me plan të mirëorganizuar, duke e mbajtur në vëzhgim objektivin disa ditë para ngjarjes dhe duke instaluar një kamerë sigurie pranë burgut të Drenovës, ku ndodhet i dënuar vëllai i tij, Sindi Syzo.
Burime pranë hetimit bëjnë me dije se kamera është vendosur në një pemë pranë rrugës që të çon në burgun e sigurisë së lartë dhe është pikasur nga autoritetet vetëm 4 ditë më parë. Sipas të njëjtave burime, pajisja është përdorur për të monitoruar takimet e Brian Syzos me të vëllanë, me qëllim goditjen në momentin e lëvizjes së tij. Motivi dyshohet të lidhet me një konflikt të mëparshëm, pasi Sindi Syzo është i dënuar për një plagosje me thikë ndaj Nikolla Agollit në tetor 2025.
Pas atentatit ku Brian Syzo u qëllua me plumba në të dyja këmbët në zonën e Fortesave në Pogradec, grupi hetimor ka identifikuar përdorimin e kamerës dhe lidhjen e saj me dy vëllezërit Agolli përmes analizës së gjashtë celularëve të sekuestruar. Për ngjarjen është arrestuar Nikolla Agolli, si dhe shoku i tyre David Prifti, ndërsa në kërkim vijojnë të jenë Edison Agolli dhe Meardi Berberi. Pas sulmit, të dyshuarit janë larguar drejt Qafë Thanës, ku kanë braktisur automjetin, ndërsa arma e krimit ende nuk është gjetur.