Më 4 korrik 2026, kur kryeministri Edi Rama mbush 62 vjeç, në Tiranë diaspora do të zhvillojë një tubim të madh përpara Kryeministrisë në orën 19:00. Organizatorët e nismës kanë deklaruar se emigrantët shqiptarë do të mblidhen për herë të dytën kryeqytet, duke e cilësuar ditën si një moment politik presioni dhe kërkese për ndryshim.
Prej më shumë se 1 muaji, shqiptarët po protestojnë masivisht brenda dhe jashtë vendit me kërkesa të qarta për qeverinë Rama, opozitën Berisha dhe partitë e vogla politike. Diaspora mbushi kryeqytetin edhe mesditën e 20 qershorit, një protestë drithëruese me lot malli, gëzimi e shprese, teksa kanë premtuar se do të zbarkojnë sërish në tokën shqiptare për të ngritur dhe njëherë zërin në protesta masive.
Në qendër të platformës së tyre renditen disa pika të forta, dorëheqja e qeverisë aktuale, kërkesa për krijimin e një qeverie teknike tranzitore 12-mujore, si dhe hartimi i një Kushtetute të re përmes referendumit. Po ashtu, kërkohet ndryshim i Kodit Zgjedhor, rishikim i financimit të partive dhe kufizim i mandateve të kryeministrit në maksimum dy gjatë gjithë jetës politike, ndërsa nuk hiqet dorë as nga kërkesat për ndryshime në ligjet për zonat e mbrojtura, trashëgiminë kulturore, paketën e maleve dhe investimet strategjike.
Por pyetja që shtrohet është, a do të jetë 4 korriku një protestë simbolike apo një përballje politike me pasoja më të gjera? Çfarë “dhurate” politike po përgatitet realisht nga diaspora për ditëlindjen e kryeministrit, mesazh presioni, test force apo nisje e një faze të re protestash? Dhe mbi të gjitha, si do të përgjigjet qeveria përballë një mobilizimi që premton të jetë më i gjerë se protestat e mëparshme?