Pak ditë pasi protestuesit shembën rrethimin 20-vjeçar që pengonte hyrjen në plazhin e Kakomesë, banorët e Nivicës kanë vijuar me një tjetër nismë vullnetare për ta bërë zonën më të aksesueshme. Ata kanë shtruar me zhavorr segmentet më problematike të rrugës që të çon drejt gjirit, duke lehtësuar kalimin e automjeteve të vogla. Banorët e kanë shpallur plazhin publik dhe pa pagesë, duke ftuar të gjithë qytetarët ta frekuentojnë lirisht. Ky veprim vjen pas presionit të vazhdueshëm dhe protestave të organizuara prej tyre për të rimarrë të drejtën e aksesit në këtë pasuri natyrore.
Ndërhyrja synon të përmirësojë aksesin për pushuesit gjatë sezonit veror, pasi rruga kishte pika të dëmtuara që vështirësonin qarkullimin. Rreth 250 banorë të Nivicës, së bashku me protestues të tjerë të ardhur nga rrethet, ishin bashkuar më herët në protestën për heqjen e rrethimit. Sipas tyre, ndërhyrjet për përmirësimin e rrugës do të vijojnë edhe në ditët në vijim. Qëllimi është që aksesi drejt një prej gjireve më të bukur të bregdetit jonian të jetë sa më i lehtë për çdo vizitor.