Një studente i është drejtuar redaksisë tonë me një shqetësim lidhur me e bursat në Universitetin “Aleksandër Moisiu”, në zonën e Currilave.
Sipas denoncimit të saj, që në fillim të vitit akademik ka dorëzuar të gjitha dokumentet e nevojshme për përfitimin e bursës, por deri më tani nuk është kryer asnjë pagesë. Ajo shprehet se, pavarësisht përpjekjeve të vazhdueshme, procesi ka mbetur i paqartë dhe pa zgjidhje konkrete.
Studentja tregon se është detyruar të dorëzojë disa herë të njëjtat dokumente, duke u paraqitur në institucione të ndryshme si bashkia dhe zyra përkatëse, gjë që i ka sjellë humbje kohe dhe shpenzime shtesë. Sipas saj, në disa raste i është kërkuar të rifillojë procedurën nga e para, pa marrë një shpjegim të qartë për vonesat.
Ajo thekson se situata është bërë shqetësuese, pasi viti akademik po shkon drejt fundit dhe shumë studentë mbështeten te këto bursa për të përballuar shpenzimet bazë si transporti, ushqimi dhe nevoja të tjera të studimeve.
Në denoncimin e saj, studentja shprehet gjithashtu se mungon komunikimi institucional, pasi telefonatat dhe mesazhet shpesh nuk marrin përgjigje, duke e bërë edhe më të paqartë situatën mbi ecurinë e aplikimeve për bursë.
Ajo kërkon që çështja të trajtohet me urgjencë nga institucionet përgjegjëse dhe të jepet një sqarim i plotë mbi arsyet e vonesave, duke theksuar se të gjitha dokumentet e kërkuara janë dorëzuar sipas procedurës.
Denoncimi i studentes:
Pershendetje joq, Kemi një shqetësim shumë të madh lidhur me bursat e studentëve në Universiteti Aleksandër Moisiu Currila. Që nga fillimi i vitit akademik kemi dorëzuar të gjitha dokumentet e nevojshme, madje disa prej tyre i kemi dorëzuar 2-3 herë. Për çdo dokument na është kërkuar të paraqitemi vazhdimisht në bashki dhe institucione të tjera, duke humbur kohë dhe shpenzuar para, ndërkohë që ende nuk kemi marrë asnjë pagesë burse. Është e papranueshme që viti akademik po shkon drejt fundit dhe studentët vazhdojnë të presin për një të drejtë që u takon. Shumë prej nesh mbështeten tek këto para për transportin, ushqimin dhe shpenzimet bazë të shkollës. Nuk është normale të sorollatemi për muaj të tërë për të njëjtat letra dhe prapë të mos marrim asnjë zgjidhje. Kërkojmë që kjo çështje të zgjidhet sa më shpejt dhe të na jepet një përgjigje e qartë pse po vonohen bursat, pasi kemi përmbushur çdo kërkesë që na është kërkuar. Faleminderit.
