Një rast i dyshuar i dhunës ndaj një gruaje është denoncuar nga disa turistë të huaj, të cilët kanë qenë dëshmitarë të ngjarjes në Sarandë.
Sipas tyre, teksa po udhëtonin me automjet, panë një burrë duke goditur në mënyrë të përsëritur një grua që ndodhej në sediljen e pasagjerit. Turistët kanë regjistruar me video një pjesë të ngjarjes, duke sqaruar se pamjet janë filmuar pasi dhuna kishte nisur dhe pas disa goditjeve të njëpasnjëshme.
Në mesazhin që kanë dërguar, ata shprehen se dëshironin ta raportonin rastin te autoritetet, por nuk kishin mundësi të kryenin telefonata. Ata shtojnë se, ndërsa ishin nisur drejt Gjirokastrës, shpresuan të ndeshnin një patrullë policie gjatë daljes nga Saranda, por nuk panë asnjë.
Rrethanat e ngjarjes mbeten të paqarta, ndërsa pritet që autoritetet të verifikojnë pamjet dhe të kryejnë hetimet përkatëse.
Mesazhi i turistëve:
“Përshëndetje, nuk jemi të sigurt çfarë duhet të bëjmë, por ndërsa po udhëtonim pamë një burrë që po ushtronte vazhdimisht dhunë ndaj një gruaje në sediljen e pasagjerit, ndërsa po drejtonte automjetin në Sarandë. Donim ta denonconim rastin, por nuk kemi mundësi të bëjmë telefonata. Tani jemi nisur drejt Gjirokastrës. Shpresuam të takonim policinë gjatë daljes nga qyteti, por nuk pamë asnjë patrullë.”