Bulevardi “Dëshmorët e Kombit” është zgjuar sot me një pamje të pazakontë, ku fokusi nuk ka qenë vetëm te kauza e protestuesve, por te figurat publike që kanë zgjedhur të heshtin.
Në trungjet e pemëve përgjatë bulevardit janë afishuar posterat me fytyrat e emrave më të njohur të ekranit dhe muzikës, si Noizy, Ermal Mamaqi, Gaz Paja dhe personazhe të tjerë të njohur. Ky veprim shënjestron drejtpërdrejt heshtjen e tyre ndaj zhvillimeve të fundit sociale dhe politike.
Përmes këtij gjesti, protestuesit kanë kërkuar të japin një mesazh të qartë: zhgënjimin ndaj personazheve të ekranit. Në posterat e vendosur, duket se është shfrytëzuar ndikimi i tyre i gjerë në rrjetet sociale, duke i vënë në pikëpyetje për mungesën e një qëndrimi aktiv në mbështetje të kauzave të protestës.
Mbështetësit e veprimit argumentojnë se personazhet VIP kanë një përgjegjësi morale ndaj audiencës që i ndjek, pasi fama e tyre buron nga mbështetja e publikut.