Masakra me 4 viktima në Velipojë: Arratiset nën hundën e Policisë autori, Hasan Ferracaku

Masakra me 4 viktima në Velipojë: Arratiset…

Hasan Ferracaku, një nga të dyshuarit për masakrën e Velipojës të vitit 2021, ku mbetën të vrarë katër persona dhe u plagosën dy të tjerë, është arratisur nga banesa e tij në Shkodër, edhe pse ndodhej në “arrest shtëpie” dhe, sipas autoriteteve, ruhej 24 orë në 24 nga Policia e Shtetit.

Arratisja ngre pikëpyetje të rënda mbi funksionimin e policisë. Si mund të zhduket një person i konsideruar me rrezikshmëri të lartë, i vendosur nën mbikëqyrje të vazhdueshme? Kush po e ruante dhe si arriti t’u shpëtojë efektivëve pa u ndalur? Këto janë pyetje që deri tani mbeten pa përgjigje.

Ferracaku ishte lënë në arrest shtëpie pasi i kishin përfunduar afatet e paraburgimit, ndërsa prej afro tre vitesh mbahej nën ruajtje të përhershme nga policia. Megjithatë, ai ka arritur të largohet në drejtim të paditur, duke ekspozuar një tjetër dështim të rëndë të strukturave që kishin detyrimin ta mbanin nën kontroll.

Hasan Ferracaku ishte një nga dy të plagosurit në masakrën e 26 qershorit 2021 në Velipojë, ngjarje që tronditi mbarë vendin. Në përplasjen e armatosur humbën jetën Kujtim Ferracaku, vëllezërit Edmond dhe Xhovani Gocaj, si dhe kamarieri 20-vjeçar Myzerim Zeneli, i cili kishte dalë ditën e parë në punë. Pas ngjarjes, policia shpalli në kërkim edhe tre djemtë e Ferracakut.

Sipas dosjes hetimore, konflikti nisi për ndarjen e shezllongëve në plazh mes familjeve Ferracaku dhe Gocaj, por përfundoi në një masakër me armë zjarri. Hetimet tregojnë se në vendngjarje u përdorën katër armë, ndërsa kamerat e sigurisë u sekuestruan për të zbardhur dinamikën e plotë të ngjarjes.

Tashmë, përveç arratisjes së Ferracakut, vëmendja duhet të jetë edhe te përgjegjësia e Policisë së Shtetit. Kur një person i akuzuar për një nga ngjarjet më të rënda kriminale të viteve të fundit arrin të zhduket nga një banesë e ruajtur 24 orë në 24, nuk kemi të bëjmë vetëm me një arratisje, por me një dështim serioz të sistemit të sigurisë dhe kontrollit.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit