Fitorja "dramatike" e Belgjikës, tifozët e Senegalit në lot

Fitorja “dramatike” e Belgjikës, tifozët e Senegalit…

Belgjika ka siguruar një kualifikim dramatik në Seattle, duke përmbysur Senegalin me rezultatin 3-2 pas më shumë se 130 minutash lojë dhe një penalltie vendimtare në frymën e fundit.

Skuadra afrikane ishte dukshëm më superiore për pjesën më të madhe të takimit dhe për një moment dukej se kishte “njërën këmbë” në çerekfinale. Diarra zhbllokoi ndeshjen në minutën e 25-të, ndërsa Ismaila Sarr dyfishoi avantazhin menjëherë në fillimin e pjesës së dytë. Senegali vazhdoi të dominonte, duke krijuar raste të shumta dhe duke goditur edhe dy herë shtyllën, ndërsa Belgjika nuk gjente dot ritmin e saj.

Trajneri Rudi Garcia reagoi me ndryshime vendimtare, duke hedhur në fushë Romelu Lukaku, një lëvizje që ndryshoi krejtësisht fytyrën e ndeshjes. Sulmuesi belg ngushtoi diferencën në minutën e 86-të, duke rikthyer shpresat për një përmbysje historike.

Vetëm pak minuta më vonë, një gabim i portierit Mory Diaw në dalje nga porta u shfrytëzua nga Youri Tielemans, i cili barazoi shifrat në 2-2 dhe e çoi sfidën në kohën shtesë.

Në minutat e fundit të një ndeshjeje të lodhshme dhe dramatike, Tielemans u bë sërish protagonist. Ai fitoi një penallti në minutën e 125-të dhe më pas e shndërroi vetë në gol, duke vulosur përmbysjen e madhe të Belgjikës vetëm pak sekonda para se sfida të shkonte te penalltitë.

Në anën tjetër, humbja ka sjellë një zhgënjim të madh për Senegalin dhe tifozët e tij, të cilët nuk i kanë mbajtur dot emocionet, duke shpërthyer në lot pas një ndeshjeje që dukej e fituar deri në fund.

Me këtë sukses dramatik, Belgjika kalon në 1/8-at, ku do të përballet me Shtetet e Bashkuara.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit