Lejuan ndërtimet pa leje, kush janë zyrtarët e IVMT në Sarandë të akuzuar nga Prokuroria

Lejuan ndërtimet pa leje, kush janë zyrtarët…

Prokuroria e Sarandës ka bërë publike masat e sigurisë të vendosura ndaj një oficeri të Policisë Gjyqësore dhe disa ish-zyrtarëve të Inspektoratit Vendor të Mbrojtjes së Territorit (IVMT), të cilët dyshohen se kanë lejuar ndërtime pa leje dhe nuk kanë ndërhyrë për të ndalur paligjshmërinë.

Nën hetim janë Eduard Veliu, ish-kryeinspektor i IVMT-së në Bashkinë Sarandë, Romelio Kadena, Ilia Gjika dhe Elvis Memushi, ish-inspektorë të IVMT-së, si edhe Irakli Koçiaj, oficer i Policisë Gjyqësore në Komisariatin e Policisë Sarandë.

Ata akuzohen për veprat penale “Shpërdorim detyre”, “Mosmarrje masash për ndërprerjen e gjendjes së paligjshmërisë”, si edhe “Ndërtim i paligjshëm”, kryer në bashkëpunim.

Gjykata ka vendosur masa të ndryshme sigurie për secilin prej tyre. Për oficerin e Policisë Gjyqësore, Irakli Koçiaj, është caktuar pezullimi nga detyra, ndalimi i daljes jashtë shtetit dhe detyrimi për t’u paraqitur në Policinë Gjyqësore.

Ndërkohë, ish-kryeinspektori i IVMT-së, Eduard Veliu, është lënë në arrest shtëpie, me mundësinë e zëvendësimit të kësaj mase me një garanci pasurore prej 100 mijë lekësh.

Për tre ish-inspektorët e IVMT-së – Romelio Kadena, Ilia Gjika dhe Elvis Memushi – gjykata ka vendosur masën “Detyrim për t’u paraqitur në Policinë Gjyqësore”.

Sipas Prokurorisë së Sarandës, hetimet janë pjesë e procedimit penal nr. 304 të vitit 2026 dhe po vijojnë për të dokumentuar plotësisht rastet e ndërtimeve të paligjshme, si edhe për të identifikuar çdo punonjës të Policisë së Sarandës apo institucioneve të tjera që mund të kenë përgjegjësi në këtë çështje.

Organi i akuzës thekson se qëllimi i hetimeve është zbardhja e plotë e skemës së dyshuar të shpërdorimit të detyrës dhe përcaktimi i përgjegjësive individuale për çdo person të përfshirë në lejimin ose mosndërhyrjen ndaj ndërtimeve pa leje në territorin e Bashkisë Sarandë.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit