Një aksident i rëndë rrugor është regjistruar pasditen e kësaj të enjteje në aksin Levan–Tepelenë, pranë fshatit Buzmadh, ku një automjet ka dalë nga rruga, duke lënë të plagosur tre persona.
Sipas informacioneve paraprake, një automjet tip Volkswagen Touran, në të cilin udhëtonin drejtuesi i mjetit, një grua dhe një i mitur, ka humbur kontrollin për arsye ende të paqarta dhe ka dalë nga rruga.
Si pasojë e aksidentit, të tre personat kanë mbetur të plagosur dhe janë transportuar me urgjencë në Spitalin Rajonal Fier, ku po marrin ndihmën e nevojshme mjekësore.
Burime nga spitali bëjnë me dije se gruaja dhe i mituri ndodhen jashtë rrezikut për jetën, ndërsa drejtuesi i automjetit vijon të jetë në sallën e operacionit, në gjendje të rëndë shëndetësore dhe nën kujdesin e mjekëve.
Në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e Policisë, të cilat kanë nisur hetimet për të zbardhur shkaqet dhe rrethanat e aksidentit. Ndërkohë, autoritetet po punojnë edhe për normalizimin e qarkullimit në këtë segment rrugor.
Pritet që pas përfundimit të veprimeve hetimore, Policia të japë më shumë detaje mbi dinamikën e aksidentit.