Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) ka arrestuar në flagrancë katër punonjës policie të Njësisë së Sigurisë Kombëtare në Shkodër, të dyshuar për veprën penale “Shpërdorim detyre”, pasi personi që ata kishin nën mbikëqyrje ka arritur të largohet nga banesa ku vuante masën e sigurisë “arrest në shtëpi”.
Sipas AMP-së, efektivët u vunë në pranga menjëherë pasi u konstatua se Hasan Ferracaku nuk ndodhej më në banesën ku duhej të mbahej nën mbikëqyrje të vazhdueshme. Pas veprimeve hetimore dhe procedurale, u arrestuan inspektorët Dorjan Hasandoçaj, Gentian Xhanari, Dioniz Hotaj, si dhe punonjësi Ridvan Zefi, të gjithë pjesë e Trupës Operacionale të Njësisë së Sigurisë Kombëtare Shkodër.
Nga ana tjetër, ndaj Hasan Ferracakut rëndon edhe dyshimi për veprën penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”, pasi dyshohet se ka thyer kushtet e masës së sigurisë të vendosur nga gjykata. Materialet i janë referuar Prokurorisë së Shkodrës për vijimin e hetimeve.
Ferracaku është një nga personat nën hetim për masakrën e Velipojës, ngjarjen e rëndë të 26 qershorit 2021 ku humbën jetën katër persona. Ai ndodhej në “arrest shtëpie” pasi i kishin përfunduar afatet e paraburgimit, ndërsa prej rreth tre vitesh ruhej 24 orë në 24 nga efektivët e policisë.
Përplasja e përgjakshme në Velipojë nisi pas një konflikti për ndarjen e një hapësire me shezlongë në plazh, që më pas degradoi në shkëmbim zjarri. Nga ngjarja mbetën të vrarë Kujtim Ferracaku, vëllezërit Edmond dhe Xhovani Gocaj, si dhe Myzerim Zeneli, një kamarier 20-vjeçar që kishte dalë në ditën e parë të punës. Pas masakrës u arrestuan Hasan Ferracaku dhe nipi i tij, ndërsa tre djemtë e tij u shpallën në kërkim.