Kryeministri Edi Rama ka sulmuar sërish protestuesit gjatë një eventi mbi administratën publike dhe shërbimin qytetar, duke i cilësuar ata si “një kore e zezë ku janë mbledhur gjithë dështakët dhe zemërakët e Shqipërisë”. Megjithatë, ai shtoi se “nën këtë kore ka edhe ujë të pastër”, duke sjellë si shembull rastin e nënës së një miku të tij, e cila kishte marrë pjesë në protestë për shkak të pakënaqësive me shërbimet publike.
Në fjalën e tij, Rama u ndal veçanërisht te sistemi shëndetësor dhe sjellja e administratës, duke përshkruar situata ku qytetarët detyrohen të presin me orë të tëra në radhë në poliklinika që në orët e para të mëngjesit, ndërsa mjekët shpesh nuk respektojnë oraret e punës. Ai tha se kjo sjellje krijon ndjenjë “poshtërimi” te qytetarët dhe se mungesa e “njerzillëkut” në shërbim është një nga arsyet kryesore të zemërimit publik ndaj administratës.
Sipas Ramës, pakënaqësitë e qytetarëve nuk lidhen vetëm me pamundësinë për të zgjidhur hallet, por edhe me mënyrën se si trajtohen nga institucionet. Ai theksoi se “sistemi për herë të parë po lufton korrupsionin” dhe se kjo reformë po krijon tensione, duke shtuar se “është shumë e dhimbshme, si një therje në sytë e të gjithëve, por po hyhet aty ku nuk është hyrë kurrë”, ndërsa paralajmëroi vijimin e kontrollit në administratë përmes mekanizmave antikorrupsion dhe vizitave të paparalajmëruara.