Ndotje alarmante në Drimadhë, nafta dhe bitiumi mbulojnë detin

Ndotje alarmante në Drimadhë, nafta dhe bitiumi…

Teksa Shqipëria reklamon jugun si perlën e turizmit dhe pushuesit paguajnë çmime gjithnjë e më të kripura për një çadër apo një natë akomodim, realiteti që po denoncohet nga Drimadha është krejt tjetër.

Dhjetëra qytetarë kanë kontaktuar redaksinë e JOQ Albania, duke dërguar foto dhe video ku duken njolla të zeza në det dhe një substancë e errët që ngjitet në këmbë, rroba dhe gurë. Sipas tyre, pamja të krijon përshtypjen e mbetjeve të naftës ose bitumit, duke e kthyer një nga plazhet më të frekuentuara të jugut në një burim shqetësimi.

Ironia është se ndërsa turistëve u kërkohen shuma marramendëse për të kaluar disa ditë pushimi, askush nuk duket se mban përgjegjësi për cilësinë e detit ku ata futen. Në vend që institucionet të monitorojnë vazhdimisht ujërat dhe të reagojnë me transparencë ndaj çdo denoncimi, qytetarët mbeten ata që dokumentojnë ndotjen dhe kërkojnë me ngulm një përgjigje.

Nëse këto pamje janë pasojë e shkarkimeve të paligjshme ose e mungesës së kontrolleve, atëherë nuk kemi të bëjmë vetëm me një problem mjedisor, por me një dështim të plotë të institucioneve që kanë detyrimin të mbrojnë bregdetin dhe shëndetin e pushuesve.

Autoritetet duhet të dalin urgjentisht në terren, të kryejnë analizat përkatëse dhe të bëjnë publik burimin e ndotjes. Turizmi nuk mbahet gjallë me slogane dhe postime promocionale, por me det të pastër, kontroll të vazhdueshëm dhe përgjegjësi. Përndryshe, “Shqipëria turistike” rrezikon të mbetet vetëm një fasadë që fshihet pas filtrave të reklamave.

Denoncimi 1:

Jam në Drymades për pushime. Deti është në këtë gjendje, gjithçka duket si vaj ose naftë. A ka kontroll kush? A ka rregulla ku duhet të shkarkohen mbetjet e trageteve apo anijeve?

Denoncimi 2:

Kjo është gjendja e detit në Drimadhë. Piku i sezonit, çmimet katastrofë dhe gjendja siç shihet në video. Na i shkatërruan edhe këto pak ditë që mundohemi të pushojmë.

Denoncimi 3:

Live nga Drimadha. I gjithë bregu dhe uji janë të mbushur me njolla të zeza. Ngjit në rroba dhe në lëkurë. Thjesht po ju njoftojmë që të sensibilizohen pushuesit dhe autoritetet.

Denoncimi 4:

Hello, i would like to inform you a big problem of polution in Palase, drymade beach in the sea with petrol drops.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit