Policia ka arrestuar Granit Pepnikajn, i njohur si “koka” e rrjeteve të call centerave të dyshuara për mashtrime kompjuterike dhe pastrim parash, pas një operacioni të zhvilluar në bashkëpunim me autoritetet austriake. Ai u lokalizua dhe u kap në kompleksin Olea Residence në Dhërmi, ku dyshohet se ishte fshehur për t’iu shmangur hetimeve ndërkombëtare.
Sipas hetimeve, strukturat e drejtuara prej tij dyshohet se funksiononin si kompani të ligjshme, por në realitet janë përdorur për një skemë të sofistikuar mashtrimi kompjuterik dhe pastrimi parash, nga e cila dyshohet se janë përfituar mbi 50 milionë euro nga qytetarë të vendeve të Bashkimit Evropian. Prokuroria ka bërë me dije se hetimet janë zhvilluar për më shumë se dy vite dhe kanë përfshirë bashkëpunim të ngushtë ndërkombëtar.
Gjykata e Tiranës ka caktuar ndaj Pepnikajt masën e sigurisë “arrest me burg”, ndërsa është firmosur edhe urdhri për shpalljen e tij në kërkim ndërkombëtar. Ai akuzohet për mashtrim kompjuterik dhe pastrim parash, ndërsa hetimet vijojnë për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë dhe zgjerimin e rrjetit të dyshuar kriminal.