I shumëkërkuari i operacionit “Ura”, Adi me 4 emra u kap në bastionin e grupit Troplini-Doci

I shumëkërkuari i operacionit “Ura”, Adi me…

I shumëkërkuari shqiptar Adi Cobo Bazholi është arrestuar në Durrës, në kuadër të hetimeve të operacionit ndërkombëtar “Ura”, ku ai konsiderohet nga autoritetet si një nga figurat kyçe të organizatës kriminale të dyshuar për trafik ndërkombëtar droge dhe pastrim parash.

Sipas medias italiane Bari Today, Bazholi ishte zhdukur që prej 21 majit 2025, ditën kur autoritetet në Itali, Shqipëri dhe Belgjikë zhvilluan megaoperacionin që çoi në ekzekutimin e 52 masave të sigurisë ndaj personave të dyshuar të përfshirë në rrjetin kriminal.

Arrestimi u krye më 2 korrik në zonën e Shkozës, në Durrës, gjatë një operacioni të përbashkët të efektivëve të Drejtorisë së Hetimit Antimafia (DIA) të Barit dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), në kuadër të Skuadrës së Përbashkët Hetimore të ngritur mes Prokurorisë Antimafia të Barit dhe SPAK-ut.

Sipas hetuesve, Bazholi u lokalizua në atë që konsiderohet një nga bazat operative të grupit Troplini-Doci. Në momentin e arrestimit, atij iu gjet një pistoletë automatike me një plumb në fole, dy krehëra, një shumë parash në valutë shqiptare, si dhe dokumente të falsifikuara, mes tyre një kartë identiteti dhe një leje drejtimi italiane.

Për autoritetet italiane, këto prova tregojnë aftësinë e organizatës për të operuar në disa shtete njëkohësisht dhe për të ruajtur lidhje të forta logjistike mes Shqipërisë dhe Italisë.

Operacioni “Ura” zbuloi një organizatë kriminale të dyshuar që vepronte mes Pulias, Shqipërisë dhe Holandës, e akuzuar për trafik ndërkombëtar të sasive të mëdha të lëndëve narkotike, pastrim parash dhe aktivitete të tjera kriminale. Gjatë operacionit u sekuestruan gjithashtu pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme me vlerë prej disa milionë eurosh në Itali dhe Shqipëri.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit