Një skandal i paprecedentë dhe me përmasa të rënda administrative e teknike ka shpërthyer ditën e sotme, duke lënë Shqipërinë në “blackout” të plotë digjital. Prej orësh, çdo uebsajt dhe portal mediatik që mban prapashtesën kombëtare .al është zhdukur totalisht nga rrjeti i internetit, si brenda ashtu edhe jashtë vendit.
Dyshohet se dështimi nuk ka ardhur nga hakerat, por nga vetë zyrat e institucionit që menaxhon këto domaine: AKEP (Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare), nën drejtimin e Gentian Salës.
Dyshohet fort se një avari madhore në Serverat Rrënjë (Root DNS) të AKEP-it ka fshirë “hartën” e internetit shqiptar, duke bërë që asnjë sistem global të mos njohë më adresat .al.
Pyetja që ngrihet me të drejtë në këto momente dhe që kërkon llogari urgjente nga Gentian Sala është: Ku shkojnë paratë e tenderave?
AKEP njihet si një nga institucionet që xhiron fonde të konsiderueshme dhe tenderon miliona lekë rregullisht për përmirësimin, mbrojtjen dhe mirëmbajtjen e sistemeve të monitorimit dhe teknologjisë. Vetëm pak kohë më parë, institucioni ka mbyllur procedura prokurimesh qindra miliona lekëshe pikërisht për mirëmbajtje sistemesh.
Por, pavarësisht këtyre shifrave të frikshme, realiteti sot tregon se mjafton një defekt në nyjen qendrore të AKEP-it që i gjithë shteti, bankat dhe mediat online të zbythen në epokën e errët, pa asnjë mundësi aksesi. Ngërçi ka qenë aq i thellë, sa dështuan edhe mjetet klasike të emergjencës si përdorimi i VPN-ve; kur “truri” qendror i AKEP-it nuk përgjigjet, adresa thjesht nuk ekziston për botën.
Deri më tani, nga ana e Gentian Salës dhe zyrës së shtypit të AKEP ka vetëm një heshtje komode, ndërsa ekspertët e tyre përpiqen të ngjisin “copat” e një sistemi që u thërrmua në mes të ditës, duke dëmtuar bizneset dhe të drejtën e informimit të qytetarëve.