Tragjedi e paralajmëruar, 42-vjeçari në aksin Hotolisht-Librazhd u vra nga neglizhenca e shtetit

Tragjedi e paralajmëruar, 42-vjeçari në aksin Hotolisht-Librazhd…

Në aksin Hotolisht–Librazhd është regjistruar një ngjarje e rëndë, ku një 42-vjeçar humbi jetën pasi një masiv shkëmbor u shkëput nga segmenti rrugor në ndërtim dhe ra mbi automjetin e tij.

Një rrugë që duhej të garantonte siguri minimale për qarkullimin është kthyer në një rrezik fatal për jetën e qytetarëve.

Kjo tragjedi nuk erdhi papritur. Prej muajsh, JOQ Albania ka raportuar dhe publikuar denoncime të përsëritura nga qytetarët për rënien e gurëve në këtë aks dhe për gjendjen e rrezikshme të kantierit. Paralajmërimet kanë qenë të qarta, të dokumentuara dhe të vazhdueshme.

Megjithatë, pavarësisht këtyre këmbanave, institucionet përgjegjëse, përfshirë Autoritetin Rrugor Shqiptar (ARRSH) dhe strukturat mbikëqyrëse të punimeve, nuk kanë ndërmarrë masa efektive për sigurimin e segmentit. As masa mbrojtëse serioze, as ndërprerje të përkohshme të qarkullimit në zonat e rrezikut, as ndërhyrje parandaluese që do të kishin shmangur një humbje jete.

Në vend të reagimit të menjëhershëm, rreziku është trajtuar si dytësor, deri në momentin kur u kthye në fatalitet.

Sot, pasojat janë të pakthyeshme: një 42-vjeçar ka humbur jetën dhe një familje është shkatërruar.

Kur një rrezik publikohet në mënyrë të përsëritur dhe injorohet nga institucionet përgjegjëse, çështja nuk mund të mbyllet si një “aksident”. Ajo kërkon hetim të plotë dhe transparent mbi mënyrën si është menaxhuar kantieri, mbi mungesën e masave të sigurisë dhe mbi çdo nivel përgjegjësie institucionale.

Një rrugë në ndërtim nuk mund të kthehet në kurth vdekjeje. Dhe një shtet që nuk reagon ndaj paralajmërimeve, mban përgjegjësi për pasojat.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit