Në rrjetet sociale gjithçka duket perfekte. Kryetari i Bashkisë së Lezhës, Pjerin Ndreu, publikon pamje me det të kaltër, rërë të pastër dhe mesazhe që ftojnë turistët të zgjedhin bregdetin e Lezhës. Por realiteti që hasin shumë pushues në terren është krejt tjetër.
Qytetarë të shumtë kanë denoncuar se në disa zona të plazheve të Tales së Lezhës ujërat e zeza derdhen direkt në det, duke sjellë erë të rëndë, ndotje të dukshme dhe një rrezik serioz për shëndetin e pushuesve. Në vend të valëve të pastra që shfaqen në videot promocionale, në breg hasen rrjedha që nuk kanë asnjë lidhje me turizmin që reklamohet çdo ditë nga bashkia.
Paradoksi është i madh. Nga njëra anë postime të kuruara me dronë, muzikë dhe slogane për sezonin turistik, ndërsa nga ana tjetër kanalizime që përfundojnë në det, aty ku fëmijët lahen dhe familjet kërkojnë të kalojnë pushimet.
Turizmi nuk ndërtohet me filtra, video promocionale dhe statuse optimiste në Facebook. Ai ndërtohet me infrastrukturë funksionale, menaxhim të ujërave të ndotura dhe respekt për qytetarët e vizitorët. Asnjë reklamë nuk mund të mbulojë erën e ujërave të zeza dhe asnjë video nuk mund ta fshehë një problem që shihet me sy të lirë.
Nëse Bashkia e Lezhës ka kohë të promovojë çdo ditë bregdetin në rrjetet sociale, duhet të ketë edhe kohë të shpjegojë pse, në kulmin e sezonit turistik, ujërat e zeza vazhdojnë të derdhen në plazhe. Sepse pushuesit nuk kanë nevojë për propagandë, por për një det të pastër.