Kanë kaluar 45 ditë nga zhdukja e Yu Ting në zonën e Artemidës, pranë Athinës, ndërsa autoritetet greke ende nuk kanë arritur të zbardhin fatin e saj. Edhe pse po shqyrtohen dëshmi dhe informacione të reja, deri tani nuk ka një pistë konkrete që të çojë në gjetjen e saj.
Një nga elementët që ka tërhequr vëmendjen e hetuesve është dëshmia e motrës së Yu Ting, e cila jeton në Kinë. Ajo pretendon se, përmes një mediumi, është informuar se motra e saj mbahet në një banesë në jugperëndim të shtëpisë së saj. Ky pretendim nuk është konfirmuar dhe nuk përfshihet në hetimin zyrtar.
Sipas mediave greke, para zhdukjes Yu Ting ishte takuar në Nisë me disa persona, mes tyre një ish-oficer policie, dy shtetas shqiptarë, një vendas dhe një prift. Fillimisht u raportua se takimi kishte lidhje me prona të kishës, por hetuesit po verifikojnë nëse tema reale ishte tjetër. Dyshohet se ajo refuzoi një bashkëpunim që iu propozua dhe po shqyrtohet nëse ky takim lidhet me zhdukjen.
Bashkëshorti i saj mohon kategorikisht se Yu Ting u largua vullnetarisht drejt Kinës. Ai thekson se ajo nuk mori rroba apo sende personale, nuk ka pasur lëvizje në llogaritë bankare dhe nuk ka komunikuar me familjarët apo miqtë që prej zhdukjes.
Gjurmët e fundit tregojnë se më 20 maj ajo dërgoi disa dokumente bashkëshortit dhe foto vjehrrës, të cilës i shkroi se ishte mirë dhe do të shkonte në punë. Personi i fundit që dyshohet se e pa ishte shoferi i autobusit të linjës 305, ndërsa telefoni i saj u fik rreth orës 15:23 dhe nuk është aktivizuar më.
Kontrollet në banesë nuk zbuluan shenja se ajo ishte larguar me dëshirë. Shtëpia ishte lënë në gjendje normale, me qepenat hapur, akuariumin ndezur dhe një filxhan çaji të lënë mbi tavolinë.
Yu Ting merrej me pasuri të paluajtshme dhe menaxhonte një kompani karburantesh, ndërsa hetuesit po shqyrtojnë edhe mundësinë që çështje financiare ose aktivitetet e saj profesionale të kenë lidhje me zhdukjen. Megjithatë, deri më tani nuk ka prova që të çojnë në vendndodhjen e saj dhe hetimet vijojnë në të gjitha pistat e mundshme.