Organizatorët dhe pjesëmarrësit e protestës së zhvilluar në Tiranë janë distancuar nga incidentet e dhunshme të regjistruara pranë Komisariatit Nr. 3, duke i cilësuar ato si akte të inskenuara që nuk përfaqësojnë frymën e tubimit. Në një deklaratë zyrtare, ata theksuan se dëmtimet e shkaktuara nuk kanë lidhje me protestuesit, por sipas tyre janë kryer nga katër persona të infiltruar me qëllim provokimin e situatës.
Sipas organizatorëve, gjatë momenteve të tensionit qytetarët reaguan menjëherë për të ruajtur karakterin paqësor të marshimit, duke thirrur “Jo dhunës!” dhe duke izoluar çdo përpjekje për përshkallëzim. Ata i bënë thirrje Policisë së Shtetit të identifikojë autorët e incidenteve, duke i cilësuar ngjarjet si pjesë e një skenari të ngjashëm me episode të mëparshme që, sipas tyre, synojnë të krijojnë përçarje dhe të diskreditojnë protestën.
Pavarësisht incidenteve, organizatorët deklaruan se protesta do të vijojë, duke theksuar se pakënaqësia qytetare nuk do të zbehet. Ata u bënë thirrje pjesëmarrësve të ruajnë qetësinë dhe të vazhdojnë marshimet në mënyrë paqësore, duke paralajmëruar organizimin e tubimeve të tjera me pjesëmarrje të gjerë edhe në ditët në vijim.