Pas më shumë se katër orësh seancë në Gjykatën e Tiranës ka përfunduar shqyrtimi i ligjshmërisë së arrestimit në flagrancë për 21 qytetarët e ndaluar pas protestës së 2 korrikut para Kuvendit. Trupi gjykues është tërhequr në dhomën e këshillimit për të marrë vendimin mbi ligjshmërinë e arrestimeve dhe masat e sigurisë, ndërsa jashtë gjykatës vijon protesta e mbështetësve të të arrestuarve, të cilët kërkojnë lirimin e tyre.
Gjatë seancës, Prokuroria ndryshoi pjesërisht kërkesën e saj për masat e sigurisë. Organi i akuzës kërkoi masën “arrest me burg” për Everest Bardhin dhe Ervin Gegën, të cilët konsiderohen si personat me përfshirjen më të rëndë në incidentet e regjistruara gjatë protestës. Për Altin Hilën, fillimisht ishte kërkuar gjithashtu “arrest me burg”, por më pas Prokuroria e ndryshoi kërkesën në “arrest në shtëpi”, pasi u mor në konsideratë fakti se ai ka një fëmijë të sëmurë që ka nevojë për kujdesin e tij. Për 18 të arrestuarit e tjerë është kërkuar masa e sigurisë “detyrim paraqitje”.
Të 21 protestuesit akuzohen për shtatë vepra penale, përfshirë shkatërrim prone, kundërshtim të punonjësit të policisë, goditje për shkak të detyrës, prishje të rendit dhe qetësisë publike, organizim dhe pjesëmarrje në grumbullime e manifestime të paligjshme, mosbindje ndaj urdhrit të ligjshëm të policisë dhe pengim të qarkullimit të mjeteve. Arrestimet u kryen pas protestës së 2 korrikut para Kuvendit, ku pati përplasje mes protestuesve dhe policisë, si edhe goditje me vezë dhe gurë ndaj efektivëve dhe deputetëve. Vendimi i Gjykatës së Tiranës për masat e sigurisë pritet të shpallet në orët në vijim.