Pak ditë pas aksidentit tragjik të autobusit të linjës Berat-Tiranë në autostradën Durrës-Tiranë, ku humbi jetën shoferi dhe mbetën të plagosur 12 persona, familja e një prej të lënduarve më të vegjël ka bërë një apel prekës për ndihmë.
8-vjeçari Arenso Sadushi, i cili ndodhet i shtruar në Spitalin Universitar të Traumës, ka pësuar dëmtime tepër të rënda dhe, sipas familjarëve, mjekët janë detyruar t’i amputojnë njërën këmbë për t’i shpëtuar jetën.
Babai i vogëlushit ka kontaktuar redaksinë e JOQ Albania duke treguar se djali i tij ka përpara një rrugë të gjatë rehabilitimi, me ndërhyrje të mëtejshme, terapi intensive dhe protezë, ndërsa familja nuk ka mundësi të përballojë kostot e trajtimit.
“Çdo kontribut, sado i vogël, është një shpresë për djalin tonë dhe një hap më pranë ëndrrës së tij për të ecur përsëri. Edhe nëse nuk keni mundësi të dhuroni, ju lutemi shpërndajeni këtë apel që të arrijë te sa më shumë njerëz”, shprehet babai i 8-vjeçarit në mesazhin e dërguar në redaksinë tonë.
Për të mbështetur trajtimin e Arensos është hapur edhe një fushatë në GoFundMe, ku familjarët shpjegojnë se fondet do të përdoren për shpenzimet mjekësore, rehabilitimin, protezën dhe çdo trajtim që do t’i nevojitet vogëlushit në muajt në vijim.
JOQ Albania ka komunikuar me babanë e 8-vjeçarit, i cili ka konfirmuar se djali vazhdon të jetë i shtruar në Spitalin e Traumës. Familja ka bërë me dije se dokumentacioni mjekësor do t’i vihet në dispozicion redaksisë sapo t’u dorëzohet nga spitali.
Nëse keni mundësi, çdo ndihmë, sado e vogël, mund të bëjë një ndryshim të madh në rrugëtimin e Arensos drejt rikuperimit. Edhe shpërndarja e këtij apeli mund të ndihmojë që ai të arrijë tek sa më shumë njerëz me zemër të madhe.
Nr. kontakti i babait të vogëlushit, Veli Sadushi: +355 68 429 3683