Shqipëria është renditur nga Zyra e Kombeve të Bashkuara për Drogën dhe Krimin (UNODC) ndër vendet kryesore të nisjes ose tranzitit të dërgesave të heroinës drejt Europës, sipas rasteve të sekuestrimeve të raportuara gjatë periudhës 2021–2024. Në aneksin statistikor të World Drug Report 2026, vendi shfaqet në të njëjtën kategori me Turqinë, Greqinë, Bullgarinë, Italinë, Spanjën, Francën, Belgjikën dhe Holandën. Raporti thekson se tregu global i heroinës po kalon ndryshime të rëndësishme pas rënies së prodhimit të opiumit në Afganistan, ndërsa rritja e prodhimit në Mianmar nuk ka arritur të kompensojë mungesën në treg.
Sipas UNODC, reduktimi i furnizimit me heroinë mund t’i shtyjë rrjetet kriminale të ndryshojnë rrugët e trafikimit, të zhvendosin prodhimin e paligjshëm në vende të tjera ose të orientohen drejt opioidëve sintetikë si fentanilet dhe nitazenet. Organizata paralajmëron se këto zhvillime mund të ndikojnë ndjeshëm në tregjet europiane të drogës, duke rritur rrezikun e përhapjes së substancave më të fuqishme dhe më të rrezikshme.
Raporti evidenton gjithashtu se Shqipëria bën pjesë ndër vendet europiane që regjistruan rritjen më të madhe të sekuestrimeve të kokainës gjatë vitit 2024, me një dyfishim ose më shumë të sasive të kapura krahasuar me vitin 2023. Ndërkohë, në Europën Perëndimore dhe Qendrore janë vërejtur ndryshime në rrugët e trafikimit, me zhvendosjen e qendrave kryesore nga portet e Belgjikës, Gjermanisë dhe Holandës drejt Francës, Portugalisë dhe Spanjës. Sipas raportit, grupet kriminale po përdorin metoda të reja transporti dhe ngarkesa më të vogla për t’iu shmangur kontrolleve, ndërsa flukset e kokainës drejt Europës mbeten në nivele të larta.