Zbulohet rrjeti evropian i burrave që organizonin përdhunimin e partnereve duke i droguar

Zbulohet rrjeti evropian i burrave që organizonin…

Një operacion i gjerë ndërkombëtar i koordinuar nga Europol ka zbuluar një rrjet kriminal që organizonte dhe nxiste përdhunime të grave përmes përdorimit të drogave dhe medikamenteve qetësuese. Operacioni “Medusa”, i udhëhequr nga autoritetet britanike dhe gjermane, ka çuar deri tani në 57 arrestime, 113 hetime penale dhe identifikimin e 156 personave, mes viktimave dhe autorëve të dyshuar. Hetuesit zbuluan katër komunitete të reja mizogjene në internet, ku anëtarët shkëmbenin udhëzime se si të drogonin gratë, planifikonin sulmet dhe ndanin fotografi e video të abuzimeve.

Sipas autoriteteve, shumica e rasteve nuk lidhen me sulme nga persona të panjohur, por ndodhin brenda marrëdhënieve intime ose familjare. Autorët ishin shpesh bashkëshortë, partnerë ose ish-partnerë, të cilët përdornin medikamente qetësuese ose substanca narkotike për t’i lënë viktimat pa ndjenja, duke u shkaktuar humbje të kujtesës dhe pamundësi për të reaguar. Hetuesit theksojnë se këto krime janë veçanërisht të vështira për t’u provuar, pasi shumë viktima nuk kujtojnë ngjarjen ose nuk arrijnë të zbulojnë praninë e substancave në organizëm.

Hetimi u nxit pas rastit tronditës të francezes Gisèle Pelicot, e cila u drogonte për vite me radhë nga bashkëshorti i saj, ndërsa dhjetëra burra e përdhunonin pa dijeninë e saj. Sipas Europol dhe autoriteteve britanike, ky rast nuk konsiderohet më i izoluar, por pjesë e një fenomeni shumë më të gjerë të ushqyer nga rrjete të mbyllura online. Në operacion morën pjesë autoritetet e Gjermanisë, Mbretërisë së Bashkuar, Francës, Spanjës, Holandës, Brazilit dhe Shteteve të Bashkuara, ndërsa Kanadaja dhe Hungaria ofruan mbështetje hetimore.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit