Gjykata e Vlorës ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg” për Granit Pepnika, i arrestuar pak ditë më parë në Dhërmi për veprën penale “mashtrim kompjuterik”. E njëjta masë është vendosur edhe për Xhoni Hitaj, i akuzuar për të njëjtën vepër, si dhe për Redion Rexhmati, i cili akuzohet për “përkrahje të autorit të krimit”.
Tre të dyshuarit u arrestuan gjatë një operacioni policor në Dhërmi, ku gjatë kontrollit në vilën ku qëndronin u sekuestrua një armë zjarri pistoletë dhe një sasi lënde narkotike e dyshuar cannabis sativa. Hetimet dyshojnë se Granit Pepnika është drejtuesi i një skeme mashtrimi online që ka shkaktuar dëme financiare që arrijnë rreth 50 milionë euro.
Sipas hetuesve, skema funksiononte përmes call centerave të organizuar profesionalisht, ku operatorët kontaktonin qytetarë europianë në gjuhë të ndryshme, duke u prezantuar si këshilltarë financiarë ose përfaqësues platformash investimi. Viktimat joshesin përmes faqeve të rreme online me premtime fitimesh të shpejta nga bursat, kriptovalutat dhe tregjet financiare, ndërsa autorët përdornin identitete të rreme dhe profile të fabrikuara për të fituar besimin e tyre.