Një qytetar nga Durrësi ka kontaktuar redaksinë e JOQ, duke denoncuar shqetësimin që po u shkaktohet banorëve nga punimet e ndërtimeve pranë banesave.
Ai thotë se në lagjen pranë Ujësjellësit, punimet zhvillohen gjatë gjithë ditës e natës, madje edhe të dielave, duke krijuar zhurmë të vazhdueshme.
“Jam një banor në Durrës, mbrapa pallatit te Kastrati, te Ujësjellësi. Jemi bërë si në Kabul nga ndërtimet. S’na lënë të qetë as ditën, as natën. Madje punojnë edhe të dielave, që është e vetmja ditë pushimi. S’po na lënë të qetë as në shtëpinë tonë, bëjnë zhurmë dhe punojnë gjatë gjithë ditës”, shprehet qytetari.
Banorët kërkojnë që institucionet përgjegjëse të verifikojnë situatën dhe të marrin masat e nevojshme për respektimin e orareve të lejuara të punimeve dhe qetësisë publike pasi me shtimin e ndërtimeve qytetarët janë ata që vuajnë pasojat, zhurmat, ndotjen e dëmtimet në infrastrukturë.