Autostrada Tiranë–Durrës është bllokuar përkohësisht në zonën pranë Maminasit për shkak të një vatre zjarri që ka përfshirë zonën e Koxhasit në Shijak, duke shkaktuar prezencë të madhe tymi dhe ulje të ndjeshme të shikueshmërisë në rrugë.
Për shkak të rrezikut të krijuar për qarkullimin e automjeteve, Policia ka vendosur bllokimin e përkohshëm të këtij aksi dhe ka kryer kthim të detyruar të mjeteve në drejtim të Vorës.
U bëhet thirrje të gjithë drejtuesve të mjeteve që të mos udhëtojnë drejt Durrësit përmes autostradës Tiranë–Durrës deri në përmirësimin e situatës dhe të ndjekin udhëzimet e Policisë në terren.
Qarkullimi do të rifillojë normalisht vetëm pas shuarjes së vatrës së zjarrit dhe përmirësimit të kushteve të sigurisë.