Izraeliti mashtroi 288 persona me call-centerat, voli 26 MILIONË €, bashkëpunëtorët shqiptarë nuk arrestohen nga Policia e Shtetit

Izraeliti mashtroi 288 persona me call-centerat, voli…

Izraeliti Roy Garin, 43 vjeç, një nga emrat më të njohur të skemave të mashtrimit me investime online në Evropë, ka humbur betejën e fundit ligjore në Shqipëri, duke i hapur rrugën ekstradimit të tij drejt Gjermanisë.

Garin, i cili dyshohet se përdorte disa identitete të rreme, mes tyre Mikael Finkle, Jean Merignac, Roy Garine dhe Mike, akuzohet se ka drejtuar një rrjet ndërkombëtar mashtrimi që u mori miliona euro qindra qytetarëve përmes platformave false të investimeve online.

Ai u arrestua në Tiranë më 4 shkurt 2025, gjatë një operacioni të përbashkët mes autoriteteve shqiptare dhe hetuesve gjermanë. Megjithatë, bashkëpunëtorët e tij të dyshuar në Shqipëri ende nuk janë arrestuar.

Autoritetet gjermane kanë dokumentuar 288 viktima, të cilat janë mashtruar përmes 33 platformave të rreme të investimeve online. Dëmi ekonomik i shkaktuar arrin në 26,107,648.82 euro.

Hetuesit besojnë se kjo shumë përfaqëson vetëm një pjesë të aktivitetit kriminal të grupit, duke e konsideruar Garinin si një nga organizatorët më të mëdhenj të mashtrimeve online të kryera përmes Call Center-ave.

Më 5 maj 2026, Gjykata e Lartë e Shqipërisë la në fuqi vendimin për ekstradimin e tij në Gjermani. Më herët, në shtator 2024, Gjykata Federale e Bambergut kishte lëshuar urdhër arresti ndaj tij, pasi Prokuroria gjermane e akuzon për “mashtrim në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal”.

Gjatë procesit gjyqësor, avokatët e Garinit pretenduan se ekstradimi në Gjermani do ta ekspozonte atë ndaj diskriminimit dhe trajtimit çnjerëzor për shkak të origjinës së tij izraelite dhe hebraike. Ata iu referuan raportit RIAS 2024, sipas të cilit në gjysmën e parë të vitit janë regjistruar mbi 8,600 incidente antisemitike në Gjermani pas konfliktit të tetorit 2023.

Megjithatë, Gjykata e Lartë i rrëzoi këto pretendime, duke i cilësuar të pabazuara si në aspektin ligjor, ashtu edhe në prova.

Sipas hetimeve gjermane, Roy Garin ka qenë një nga drejtuesit kryesorë të grupit kriminal që ka vepruar nga janari 2015 deri në tetor 2022. Prokurorët thonë se grupi mashtronte sistematikisht investitorët, duke i bindur të investonin në platforma të rreme financiare, ndërkohë që paratë e tyre nuk investoheshin kurrë, por përdoreshin për të gjeneruar fitime të paligjshme për organizatën.

Si bashkëdrejtues i skemës përmendet Arthur Visokowski, ndërsa hetimet identifikojnë edhe persona të tjerë me pseudonimet “Marina”, “Antoine” dhe “Irina”, të cilët dyshohet se kishin role kyçe në funksionimin e rrjetit.

Autoritetet gjermane pretendojnë se anëtarët e grupit ishin plotësisht të vetëdijshëm se viktimat nuk do t’i kishin transferuar kurrë paratë nëse do të dinin se bëhej fjalë për një mashtrim dhe se fondet humbnin që në momentin e pagesës.

Gjatë kontrolleve u sekuestruan dokumente identifikimi dhe prova të tjera që lidhnin Garinin me identitetet e rreme Michael Finkle, Mike dhe Jean Merignac, të cilat, sipas hetuesve, përdoreshin në aktivitetin kriminal.

Tashmë mbetet vetëm firma e Ministrit të Drejtësisë për të finalizuar ekstradimin e Roy Garinit nga Aeroporti i Rinasit drejt Gjermanisë, ku ai do të përballet me akuzën për mashtrim në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal, së bashku me Arthur Visokowskin.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit