Sot seanca e radhës në GJKKO, Veliaj refuzon kafazin e qelqtë

Sot seanca e radhës në GJKKO, Veliaj…

Në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar pritet të zhvillohet sot seanca e radhës në procesin gjyqësor ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj. Sipas informacioneve, Veliaj pritet të mos jetë i pranishëm edhe në këtë seancë, pasi ka kundërshtuar zhvillimin e procesit nga kafazi i qelqtë i sallës së gjyqit. Në seancën e 23 qershorit, gjykata vendosi për herë të tretë pezullimin e afateve të paraburgimit, pas kërkesës së prokurorit të SPAK, Ols Dado, ndërsa mungesa e avokatit mbrojtës, Plarent Ndreca, solli shtyrjen e shqyrtimit të çështjes.

Ndërkohë, Gjykata i ka rrëzuar Veliajt kërkesën për transmetimin live të seancës, si dhe kërkesën për të qëndruar jashtë ambientit të sigurisë gjatë zhvillimit të procesit. Nga ana tjetër, Gjykata Kushtetuese ka shfuqizuar vendimin e mëparshëm të Gjykatës së Lartë mbi masën e paraburgimit, duke urdhëruar rishqyrtimin e çështjes. Sipas Kushtetueses, Gjykata e Lartë nuk ka analizuar në mënyrë të plotë proporcionalitetin e masës së arrestit, alternativat më pak kufizuese dhe ndikimin e saj në ushtrimin e mandatit të një të zgjedhuri vendor.

Dosja ndaj Erion Veliajt u dërgua për gjykim më 9 qershor nga Gjykata e Posaçme, ku të pandehur janë edhe bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa, si dhe persona të tjerë. Veliaj ndodhet në paraburgim që prej 10 shkurtit 2025 dhe akuzohet për korrupsion në nëntë raste, shpërdorim detyre, pastrim të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale, futje ose mbajtje të sendeve të ndaluara në institucionet e vuajtjes së dënimit, si edhe refuzim ose fshehje të deklarimit të pasurisë. Veliaj dhe të pandehurit e tjerë i kanë mohuar akuzat, ndërsa procesi vijon në gjykatë.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit