Eliminimi i Shteteve të Bashkuara nga Kupa e Botës 2026 ka shkaktuar reagime të shumta në rrjetet sociale, ku disa tifozë amerikanë kanë bërë një kërkesë sa të pazakontë aq edhe ironike: që Presidenti Donald Trump të ndërhyjë për të ndryshuar fatin e kombëtares.
SHBA u largua nga turneu pas humbjes së thellë 4-1 ndaj Belgjikës në fazën e 1/8-ave të finales, duke humbur mundësinë për të siguruar një vend në çerekfinale.
Pas eliminimit, disa tifozë iu rikthyen një episodi të mëparshëm ku Trump ishte përmendur në lidhje me sulmuesin amerikan Folarin Balogun. Futbollisti rrezikonte të mungonte në përballjen me Belgjikën pas një kartoni të kuq ndaj Bosnjë-Hercegovinës, por pas kërkesave për rishikim, FIFA ndryshoi vendimin dhe ai u lejua të luante.
Ky precedent u kthye në objekt humori në rrjetet sociale, ku tifozët nisën të kërkonin që Trump të përdorte sërish ndikimin e tij, këtë herë për të “shpëtuar” kombëtaren amerikane nga eliminimi.
“SHBA mund ta fitojë ende Kupën e Botës nëse Donald Trump ka guximin”, shkroi një tifoz, ndërsa një tjetër komentoi me ironi: “A mendoni se Trump do të bëjë një telefonatë për të anuluar fitoren e Belgjikës? Nuk do të çuditesha”.
Të tjerë kërkuan me shaka që presidenti amerikan të kontaktonte drejtuesit e FIFA-s, me postime si: “Përmbyseni rezultatin, ju lutem Donald Trump” dhe “Trump është në telefon tani duke kërkuar që rezultati të ndryshohet”.
Në fushë, megjithatë, Belgjika nuk la vend për surpriza. Charles De Ketelaere kaloi belgët në avantazh, ndërsa pas barazimit të përkohshëm të Malik Tillman, belgët reaguan menjëherë. Hans Vanaken dhe Romelu Lukaku vulosën fitoren 4-1.
Skuadra e drejtuar nga Mauricio Pochettino kishte kaluar më parë disa pengesa në këtë Botëror, duke mposhtur Paraguain, Australinë, Turqinë dhe Bosnjë-Hercegovinën, por rrugëtimi i saj u ndal përballë Belgjikës.
Në rast kualifikimi, SHBA do të përballej në çerekfinale me Spanjën, e cila më herët eliminoi Portugalinë e Cristiano Ronaldos me rezultatin 1-0.